Bota

BE-ja pranon udhërrëfyesin për lehtësimin e sanksioneve ndaj Sirisë

“Ministrat e Jashtëm të BE-së sapo ranë dakord për një udhërrëfyes për të lehtësuar sanksionet e BE-së ndaj Sirisë”, tha shefja e politikës së jashtme Kaja Kallas

Burak Bir  | 27.01.2025 - Përdıtësım : 27.01.2025
BE-ja pranon udhërrëfyesin për lehtësimin e sanksioneve ndaj Sirisë

Londër

Bashkimi Evropian (BE) ka rënë dakord për një udhërrëfyes për të lehtësuar sanksionet e BE-së ndaj Sirisë, njoftoi sot shefja e politikës së jashtme të bllokut, Kaja Kallas, transmeton Anadolu.

“Ministrat e Jashtëm të BE-së sapo ranë dakord për një udhërrëfyes për të lehtësuar sanksionet e BE-së ndaj Sirisë”, shkroi Kallas në X.

“Ndërsa synojmë të ecim shpejt, heqja e sanksioneve mund të rikthehet nëse ndërmerren hapa të gabuar”, tha ajo.

Ministrat e Jashtëm të BE-së u mblodhën sot në Bruksel për takimin e tyre të parë të vitit, të kryesuar nga Kallas.

Agjenda përfshinte diskutime për lehtësimin e sanksioneve kundër Sirisë, tensionet me Rusinë në Detin Baltik dhe mbështetjen për Ukrainën.

Ndryshe, vendet perëndimore vendosën sanksione të rënda ekonomike ndaj Sirisë pas shtypjes brutale të Bashar Asadit ndaj protestuesve në vitin 2011, të cilat më vonë u përshkallëzuan në një luftë civile shkatërruese.

Sanksionet përfshinin tregtinë, ndalimin e importit të naftës së papërpunuar dhe produkteve të naftës nga Siria, ngrirjen e aseteve të qeverisë siriane jashtë vendit dhe kufizimet e eksportit për disa pajisje, mallra dhe teknologji.

Bashar Asad, udhëheqësi i Sirisë për gati 25 vjet, iku në Rusi pasi grupet kundër regjimit morën kontrollin e Damaskut më 8 dhjetor, duke i dhënë fund regjimit të Partisë Baath, e cila kishte qenë në pushtet që nga viti 1963.

Një administratë e re e udhëhequr nga Ahmed Al-Sharaa ka marrë tani kontrollin e vendit.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın