Yusuf Hatip
16 Prill 2019•Përditësim: 17 Prill 2019
Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian (BE) për Punë të Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Federica Mogherini, kërkoi që periudha e tranzicionit në Sudan të kryhet nga civilët, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Kërkojmë që periudha e tranzicionit në Sudan të kryhet nga civilët. BE nuk do të njohë legjitimitetin e Këshillit Ushtarak Kalimtar në Sudan”, tha Mogherini gjatë një fjalimi në Asamblenë e Përgjithshme të Parlamentit Evropian (PE) në Strazburg.
“Presim nga Këshilli Ushtarak Kalimtar në Sudan të ndërmarrë masa për rritjen e sigurisë. Në mesin e këtyre ndodhet edhe lirimi i të gjithë të burgosurve politikë. Forcat e sigurisë në Sudan duhet të mbahen përgjegjës për sulmet dhe vdekjet e ndodhura javët dhe muajt e fundit”, shtoi Mogherini.
Nëse hidhen hapat e lartëpërmendura, do të formohet një bazament i negociatave politike kuptimplote, tha Mogherini, duke theksuar se në këtë mënyrë të gjitha palët në Sudan mund të bashkëpunojnë me qëllimin e mirë.
Ndryshe, më 11 prill, ministri i Mbrojtjes, Awad bin Auf, duke folur në cilësi të kreut të Këshillit të Lartë të Sigurisë, njoftoi marrjen e kontrollit mbi pushtetin nga ana e ushtrisë dhe nisjen e një periudhe dyvjeçare të tranzicionit.
Megjithatë, Auf dha la detyrën 24 orë pasi u betua si kryetar i Këshillit Kalimtar Ushtarak dhe në vend të tij emëroi kreun aktual Abdulfettah al-Burhan.
Të shtunën, Burhan shpalli një vendim të këshillit, duke njoftuar emërimin e tetë anëtarëve, përfshirë gjashtë nga ushtria, një nga policia dhe një nga inteligjenca.
Së fundmi, këshilli ka njoftuar se qeveria e re do të formohet nga politikanët.
Nga 19 dhjetori i vitit të kaluar Sudani është përfshirë nga protestat kundër krizës ekonomike, në të cilat është kërkuar dorëheqja e ish-presidentit Omar al-Bashir, i cili u largua nga detyra pas ndërhyrjes së ushtrisë.
Gjenerali Muhammed Hamdan Daklu, komandant i Forcave të Shpejta Mbështetëse që veprojnë në kuadër të ushtrisë, dje tha se Bashir është duke u mbajtur në burg shtëpiak në kryeqytetin sudanez Kartum.