Dildar Baykan Atalay
09 Qershor 2022•Përditësim: 09 Qershor 2022
Presidenti i SHBA-së, Joe Biden tha se arsyeja e rritjes së rrjedhës së refugjatëve në vendin e tij është ekonomia globale që përkeqësohet për shkak të luftës që presidenti i Rusisë, Vladimir Putin ka filluar kundër Ukrainës, transmeton Anadolu Agency (AA).
Biden iu drejtua liderëve të vendeve të Amerikës së Veriut dhe Jugut në një fjalim në ceremoninë zyrtare të hapjes së "Samitit të Vendeve Amerikane" që u mbajt në Los Angeles.
Në fillim të fjalimit, Biden u përball me protestë, por më pas vazhdoi fjalimin e tij ku ai nënvizoi se demokracia është faktori më i rëndësishëm në zhvillim dhe se demokracia duhet të mbështetet me bashkëpunimin e vendeve.
Duke folur për rrjedhën e refugjatëve drejt SHBA-së kryesisht nga vendet e Amerikës Qendrore dhe Jugore, Biden tha: "Presioni i inflacionit globale është përkeqësuar edhe më shumë me luftën mizore që Putin ka filluar kundër Ukrainës. Po ashtu është bërë më e vështirë për familjet që të përballojnë nevojat e tyre. Të gjithë këto faktorë po shkaktojnë rrjedhën e refugjatëve në hemisferën perëndimore".
Biden tha se është formuar partneriteti i ri ekonomik me vendet e kontinentit të Amerikës dhe se kjo do të ndihmojë në ngritjen e ekonomive.
Në anën tjetër shumë protestues në zonat ku kaloi autokolona e Bidenit protestuan kundër presidentit amerikan.