Servet Günerigök
10 Shtator 2020•Përditësim: 10 Shtator 2020
Kandidati demokrat i nominuar për president të SHBA-ve, Joe Biden gaboi të mërkurën, duke thënë se mbi 6.000 pjesëtarë të ushtrisë amerikane kanë vdekur nga koronavirusi i ri (COVID-19), transmeton Anadolu Agency (AA).
"Ushtarë të infektuar me COVID: 118.984. Ushtarë të vdekur nga COVID: 6.114. Njerëz, të gjitha këto jetë janë të rëndësishme", tha Biden gjatë fushatës në shtetin e Michiganit.
Numri aktual i rasteve në ushtri është 40.026 ndërsa 7 pjesëtarë kanë vdekur nga virusi, sipas Departamentit të Mbrojtjes.
Më vonë, një zyrtar i fushatës nga ekipi i Bidenit deklaroi për CNN se ish zv/presidenti kishte cituar numrin e rasteve dhe vdekjeve për Michigan në fjalimin e tij.
Megjithatë, sipas një liste të përpiluar nga Universiteti "Johns Hopkins" në Maryland, Michigani ka 118.902 raste dhe 6.811 vdekje.
Kjo nuk është hera e parë që Biden bën një gafë. Në qershor, ai tha se 120 milionë amerikanë humbën jetën nga koronavirusi ndërsa totali atëherë ishte 124.000.
"Njerëzit nuk kanë punë. Njerëzit nuk dinë ku të shkojnë. Ata nuk dinë çfarë të bëjnë. Tani kemi mbi 120 milionë të vdekur nga COVID-19", tha ai në atë kohë.