Biden: Harris udhëhoqi fushatë historike deri në ditën e zgjedhjeve
Presidenti amerikan, Joe Biden tha se kandidatja demokrate Kamala Harris e cila humbi garën presidenciale, udhëhoqi fushatë "historike" deri në ditën e zgjedhjeve
Ankara
Presidenti i SHBA-së, Joe Biden deklaroi se kandidatja demokrate Kamala Harris e cila humbi garën presidenciale, udhëhoqi fushatë "historike" deri në ditën e zgjedhjeve, transmeton Anadolu.
Në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë thuhet se Biden vlerësoi kandidaten Harris për përpjekjet e saj gjatë gjithë fushatës.
Biden tha se zgjedhja e Harris-it si zëvendëspresidente ishte "vendimi i parë dhe më i mirë" që ai mori kur u bë kandidat në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020. "Harris doli në rrethana të jashtëzakonshme dhe drejtoi një fushatë historike", tha ai.
Sipas tij, Harris do të vazhdojë të jetë një lidere që populli amerikan do ta marrë si shembull për breza.
- Walz falënderon Harris-in
Guvernatori i Minesotës, Tim Walz në postimin në llogarinë e tij në X shprehu mirënjohjen e tij për Harris-in që e zgjodhi atë si kandidat për zëvendëspresident.
Walz falënderoi miliona qytetarë amerikanë që mbështetën fushatën edhe pse rezultati i zgjedhjeve nuk ishte ashtu siç dëshironin dhe u bëri thirrje votuesve demokratë që të vazhdojnë të luftojnë për vlerat thelbësore të fushatës.
Në zgjedhjet presidenciale të mbajtura më 5 nëntor në SHBA, republikani Donald Trump u bë presidenti i 47-të i vendit duke siguruar 270 vota elektorale.
Harris në një fjalim pranoi humbjen në zgjedhje dhe tha se e telefonoi Trumpin dhe e uroi atë. Po kështu, Biden e telefonoi Trumpin dhe e uroi për suksesin në zgjedhje dhe e ftoi në Shtëpinë e Bardhë.
Trump do të fillojë zyrtarisht detyrën pas betimit më 20 janar 2025.