Bota

Biden thotë se e di se kur dhe si Izraeli do të sulmojë Iranin

Presidenti amerikan refuzon të japë detaje, teksa rajoni është në prag të një përshkallëzimi të ri

Michael Gabriel Hernandez  | 19.10.2024 - Përdıtësım : 19.10.2024
Biden thotë se e di se kur dhe si Izraeli do të sulmojë Iranin

Washington

Presidenti amerikan Joe Biden tha se e di se kur dhe si Izraeli do të kryejë sulmin e tij ndaj Iranit, pasi Teherani paralajmëron se do të përgjigjet "me vendosmëri", raporton Anadolu.

I pyetur nga gazetarët nëse ai ka një "njohuri të mirë" në lidhje me reagimin e Izraelit ndaj sulmit me raketa balistike të Iranit të 1 tetorit dhe kur do të ndodhte ky reagim, Biden tha shkurt: "Po dhe po".

"A mund të na tregoni?", pyeti një gazetar. “Jo dhe jo”, u përgjigj presidenti amerikan në Gjermani.

SHBA ka filluar të vendosë sistemin e avancuar të mbrojtjes raketore THAAD për të forcuar mbrojtjen e Izraelit përpara sulmit të Tel Avivit, për të cilin ministri i Mbrojtjes Yoav Gallant ka paralajmëruar se do të jetë "i saktë dhe vdekjeprurës".

Biden i ka kërkuar më parë Izraelit të mos sulmojë lokacionet e naftës ose lokacionet bërthamore të Iranit, sulme që mund të përshkallëzojnë në mënyrë dramatike konfliktin.

Irani kreu sulmet e tij me raketa balistike më 1 tetor si hakmarrje për vrasjen e ish-liderit politik të Hamasit në Teheran në korrik dhe vrasjen e Sekretarit të Përgjithshëm të Hezbollahut, Hassan Nasrallah në Bejrut muajin e kaluar.

Pothuajse 200 raketa u hodhën në atë sulm, të cilat goditën disa vendndodhje në Izrael, duke përfshirë një objekt ushtarak izraelit.

Shkëmbimet e zjarrit midis Tel Avivit dhe Teheranit janë përshkallëzuar këtë vit pasi Izraeli bombardoi Ambasadën e Iranit në Damask, Siri, më 1 prill, duke vrarë zyrtarë të lartë ushtarakë. Irani iu përgjigj atij sulmi dy javë më vonë duke lëshuar qindra dronë dhe raketa balistike në Izrael. Në atë sulm, pothuajse të gjitha raketat u interceptuan nga Izraeli, SHBA dhe aleatët e tij.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın