Ata Ufuk Şeker
01 Shkurt 2021•Përditësim: 02 Shkurt 2021
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, njoftoi se pas problemeve në furnizimin me vaksinën kundër koronavirusit të ri (COVID-19), kompania BioNTech/Pfizer do të sigurojë 75 milionë doza shtesë të vaksinës në tremujorin e dytë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Një postim në median sociale lidhur me strategjinë e BE-së për vaksinat, ajo ka bërë të ditur se po punojnë ngushtë me kompanitë farmaceutike për të siguruar për evropianët vaksinën COVID-19. "Në tremujorin e dytë BioNTech/Pfizer do të sigurojë 75 milionë doza dhe në vitin 2021 do të dorëzojë 600 milionë doza", tha Presidentja e Komisionit Evropian.
BE-ja më parë ka bërë marrëveshje për blerjen e 600 milionë dozave të vaksinës nga kompania Pfizer dhe BioNTech, 400 milionë nga kompania AstraZeneca, 300 milionë nga Sanofi-GSK, 400 milionë nga Johnson & Johnson, 405 milionë nga CureVac dhe 160 milionë nga Moderna.
Në kuadrin e strategjisë aktuale për vaksinim, BE deri më 1 qershor synon vaksinimin e 70 për qind të popullatës prej 450 milionë brenda unionit, por mundësia për arritjen e këtij objektivi ka rënë për shkak se prodhuesit e vaksinës javët e fundit kanë deklaruar që do të përjetohen ndërprerje në furnizimet me vaksina.
BioNTech-Pfizer për këtë vit kishte në objektiv të prodhonte 1,3 miliard doza të vaksinës. Këtë objektiv ajo e ka rritur në 2 miliardë doza duke bërë bashkëpunime dhe duke hapur komplekse për të rritur kapacitetet prodhuese.
Ndërkohë, AstraZeneca dje njoftoi se për BE-në do të sigurojë 9 milionë doza shtesë të vaksinës dhe në këtë mënyrë në tremujorin e parë do të sigurojnë 40 milionë doza.