Bota

Birds of Eden: Streha më e madhe në botë e shpendëve me fluturim të lirë

Streha "Birds of Eden" është e shtrirë në një sipërfaqe prej 32 mijë metrash katrorë dhe në të ndodhen më shumë se 3.500 zogj nga 220 lloje

Murat Özgür Güvendik  | 28.01.2025 - Përdıtësım : 05.02.2025
Birds of Eden: Streha më e madhe në botë e shpendëve me fluturim të lirë Foto: Murat Özgür Güvendik / AA

Cape Town

MURAT ÖZGÜR GÜVENDİK

Streha e shpendëve "Birds of Eden" në rajonin Western Cape të Afrikës së Jugut mbart cilësinë si streha më e madhe në botë e shpendëve me fluturim të lirë, raporton Anadolu.

Në Afrikën e Jugut, e cila përbën një qendër të rëndësishme të vëzhgimit të shpendëve në botë, ndodhen 856 lloje të ndryshme të zogjve, 68 prej të cilave janë specie endemike.

Sipas një raporti të vitit 2018 nga organizata joqeveritare e Afrikës së Jugut "Birdlife South Africa", 132 nga këto specie klasifikohen si të rrezikuara.

"Birds of Eden", në afërsi të Gjirit Plettenberg, luan një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e shumë llojeve të shpendëve në Afrikën e Jugut.


- Mbi 3.500 zogj nga 220 lloje

Sipas informacioneve që gazetari i AA-së ka marrë nga zyrtarët e "Birds of Eden", kjo strehë është e shtrirë në një sipërfaqe prej 32 mijë metrash katrorë dhe është streha më e madhe në botë e shpendëve me fluturim të lirë.

Këtu ndodhen më shumë se 3.500 zogj nga 220 lloje, duke e bërë këtë lokacion ndër vendet më të njohura për të apasionuarit e shpendëve dhe natyrës.

Pjesë e strehës është edhe një sipërfaqe prej afërsisht 23 mijë metra katrorë tokë pyjore. Ajo tërheq vëmendjen me dizajnin e saj gjigant të kafazit të shpendëve, me një kube që arrin lartësinë 55 metra, e mbuluar me rrjetë teli.

Pista e ecjes në strehë, e gjatë 1,2 kilometra, u ofron vizitorëve mundësinë të vëzhgojnë nga afër shumë lloje zogjsh në këtë kafaz të ngritur në natyrë.


- Nga kafazi në natyrë

Llojet në strehë përfshijnë "ibisi i kuq", "makau blu-verdhë", "flamingo rozë", "toukan me skep me kanal", "zogu lugë afrikane (Spoonbills)" dhe "papagall gri afrikan".

"Birds of Eden" në të njëjtën kohë funksionon si një qendër rehabilitimi për zogjtë e kafazit të cilët më parë kanë jetuar nën robëri, për përshtatjen e tyre me jetën natyrore në një zonë të gjerë përpara se të lëshohen në natyrë.

Në mesin e këtyre llojeve të zogjve spikat "papagalli gri afrikan", numri i të cilit po bie me shpejtësi në natyrë dhe i cili zakonisht rritet si zog kafazi.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.