Bjellorusi, figura e opozitës bjelloruse dënohet me 15 vjet burg
Një gjykatë në kryeqytetin Minsk dënoi Tsikhanouskaya-n dhe katër figura të tjera të opozitës për përpjekje për të kapur pushtetin shtetëror në “mënyrë jo kushtetuese”

Istanbul
Figura e opozitës bjelloruse, Sviatlana Tsikhanouskaya, është dënuar në mungesë me 15 vjet burg, transmeton Anadolu.
Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve ‘Belta’, një gjykatë në kryeqytetin Minsk dënoi Tsikhanouskaya-n dhe katër figura të tjera të opozitës për përpjekje për të kapur pushtetin shtetëror në “mënyrë jo kushtetuese”.
‘Belta’ raportoi se gjykata e qytetit po ashtu shpalli pesë opozitarët, që përfshinin edhe figurat Maria Moroz, Olga Kovalkova, Sergey Dylevsky dhe Pavel Latushka, fajtorë për “krijimin e një grupi ekstremist” dhe për “thirrjet publike që synonin dëmtimin e sigurisë kombëtare të Bjellorusisë”.
Raporti tha se Tsikhanouskaya po ashtu u akuzua për “tradhti ndaj shtetit”, ndërsa Latushka u akuzua për “shpërdorim të pushtetit” dhe “marrje ryshfeti në shkallë të gjerë”.
"15 vjet burg. Kështu e 'shpërbleu' regjimi punën time për ndryshimet demokratike në Bjellorusi. Por sot nuk mendoj për dënimin tim. Mendoj për mijëra të pafajshëm, të arrestuar dhe të dënuar me burgime të vërteta. Nuk do të ndalem derisa secili prej tyre të lirohet”, shkroi Tsikhanouskaya në twitter në përgjigje të vendimit.
Në një reagim tjetër, edhe Latushka komentoi dënimin e tij 18-vjeçar, duke theksuar se do të “vazhdojë të luftojë së bashku me bjellorusët”.
Tsikhanouskaya jeton në mërgim në Lituani pasi u largua nga vendi pas zgjedhjeve presidenciale të Bjellorusisë në vitin 2020, ku presidenti Alexander Lukashenko u rizgjodh për një mandat të gjashtë. Kundërshtarët e tij pretenduan se zgjedhjet ishin të manipuluara.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.