Bota

Blinken bisedon me liderët e Lindjes së Mesme pas njoftimit të Izraelit se "ka vrarë liderin e Hamasit"

"Gjatë bisedave u theksua rëndësia e udhërrëfyesit për banorët e Gazës për të 'rindërtuar qytetet dhe jetët e tyre' pas përfundimit të konfliktit", thuhet në deklaratën e Departamentit të Shtetit

Murat Karadağ  | 18.10.2024 - Përdıtësım : 18.10.2024
Blinken bisedon me liderët e Lindjes së Mesme pas njoftimit të Izraelit se "ka vrarë liderin e Hamasit"

Ankara

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken zhvilloi biseda telefonike me kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm të Katarit, Mohammed bin Abdulrahman Al Thani, ministrin e Jashtëm të Arabisë Saudite, Faisal bin Farhan dhe presidentin izraelit, Isaac Herzog, në të cilat u diskutua lidhur me njoftimin e Izraelit se ka "vrarë ​​liderin e Hamasit, Yahya Sinwar", transmeton Anadolu.

Në deklaratën e Departamentit të Shtetit thuhet se Blinken ka zhvilluar biseda të ndara telefonike me homologët e tij nga Katari, Arabia Saudite dhe Izraeli. Blinken shkëmbeu mendime me Al Thani dhe Bin Farhan lidhur me njoftimin e Izraelit mbi vrasjen e liderit të Hamasit, Sinwar dhe diskutoi përpjekjet në rritje për t'i dhënë fund konflikteve në Lindjen e Mesme.

Gjatë bisedave u theksua rëndësia e udhërrëfyesit për banorët e Gazës për të "rindërtuar qytetet dhe jetët e tyre" pas përfundimit të konfliktit, thuhet në deklaratën ku bëhet e ditur se Blinken përsëriti mbështetjen e SHBA-së ndaj nismave diplomatike në drejtim të "zgjidhjes së konflikteve në 'Vijën e kaltër' në kufirin Izrael-Liban në përputhje me Rezolutën 1701 të KS-OKB-së".

Më tej deklaratë thuhet se "Blinken përgëzoi presidentin izraelit Herzog për vrasjen e Sinwarit dhe përsëriti angazhimin e SHBA-së për sigurinë e Izraelit".

Në bisedën mes sekretarit amerikan dhe presidentit izraelit është diskutuar edhe çështja e "marrjes së hapave urgjente për lirimin e pengjeve në Gaza dhe përfundimin e luftës me qëllim uljen e vuajtjeve të popullit palestinez".



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.