Bota

Blinken: SHBA-ja do të "dyfishojë" përpjekjet për t'i dhënë fund luftës në Gaza pas vdekjes së Sinwarit

SHBA-ja qëndron me Izraelin për të mbajtur përgjegjës autorët e sulmit të 7 tetorit nga Hamasi, tha Sekretari amerikan i Shtetit

Servet Günerigök  | 17.10.2024 - Përdıtësım : 17.10.2024
Blinken: SHBA-ja do të "dyfishojë" përpjekjet për t'i dhënë fund luftës në Gaza pas vdekjes së Sinwarit

Washington DC

SHBA-ja do të intensifikojë përpjekjet me partnerët e saj për t’i dhënë fund luftës izraelite në Gaza, tha Sekretari i Shtetit Antony Blinken menjëherë pas raportimeve për vrasjen e liderit të Hamasit Yahya Sinwar nga Izraeli, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë, Blinken tha se Sinwar, gjatë muajve të fundit, kundërshtoi përpjekjet e SHBA-së dhe aleatëve të saj për të zgjidhur konfliktin përmes një marrëveshjeje që synonte kthimin e pengjeve dhe lehtësimin e vuajtjeve të popullit palestinez.

“Në ditët në vijim, Shtetet e Bashkuara do të dyfishojnë përpjekjet e tyre me partnerët për t’i dhënë fund këtij konflikti, për të siguruar lirimin e të gjithë pengjeve dhe për të hartuar një rrugë të re përpara që do t’u mundësojë njerëzve të Gazës të rindërtojnë jetën e tyre dhe të realizojnë aspiratat e tyre pa luftë dhe të lirë nga kontrolli brutal i Hamasit”, tha Blinken.

Sipas tij, Hamasi ka vrarë izraelitë, amerikanë dhe qytetarë të më shumë se 30 vendeve në drejtimin e Sinwarit.

“Vendimi i tij (Sinwarit) për të nisur sulmet terroriste të 7 tetorit shkaktoi pasoja katastrofike për popullin e Gazës, të cilët tani kanë duruar tmerret e më shumë se një viti lufte. Bota është një vend më i mirë tani që ai nuk është më”, tha Blinken.

Ai tha se SHBA-ja qëndron me Izraelin për të mbajtur përgjegjës autorët e sulmit të 7 tetorit nga Hamasi dhe për të siguruar që një sulm i tillë të mos përsëritet kurrë.

Në gusht, Sinwar u bë shefi politik i Hamasit, duke pasuar Ismail Haniyehn, i cili u vra në kryeqytetin iranian Teheran pasi mori pjesë në ceremoninë e betimit të presidentit të ri të Iranit më 31 korrik.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın