Bota

Blinken: Sulmi i Izraelit ndaj shkollës në Gaza tregon urgjencën për arritjen e armëpushimit

Në sulmin izraelit ndaj shkollës në kampin Nusseirat u vranë gjashtë punonjës nga personeli i OKB-së

Muhammet Nazım Taşcı  | 13.09.2024 - Përdıtësım : 13.09.2024
Blinken: Sulmi i Izraelit ndaj shkollës në Gaza tregon urgjencën për arritjen e armëpushimit Foto: AA/Arkiv

Istanbul

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se sulmi që ushtria e Izraelit kreu ndaj shkollës në kampin e refugjatëve Nusseirat në pjesën qendrore të Rripit të Gazë, ku janë të strehuar civilë të zhvendosur, tregon edhe një herë urgjencën për arritjen e armëpushimit, transmeton Anadolu.

Sipas një deklarate nga Departamenti amerikan i Shtetit, Blinken ndodhet në Poloni në kuadër të një vizite zyrtare, ku ka mbajtur fjalim në konferencën e përbashkët për shtyp me ministrin e jashtëm polak, Radoslaw Sikorski, në kryeqytetin Varshavë.

Sekretari Blinken foli për vrasjen e gjashtë punonjësve të OKB-së në sulmin e ushtrisë izraelite ndaj shkollës në kampin e refugjatëve Nusseirat në pjesën qendrore të Rripit të Gazës, që i përket Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Ndihmë dhe Punë për Refugjatët Palestinezë në Lindjen e Afërt (UNRWA) dhe në të cilën janë të strehuar civilë të zhvendosur.

Blinken tha se është thelbësore të mbrohen dhe të lehtësohen aktivitetet e punonjësve të ndihmës humanitare në Gaza dhe në mbarë botën.

Duke thënë se zonat e ndihmave humanitare duhet të mbrohen, Blinken theksoi: "Ne vazhdojmë ta diskutojmë këtë çështje me Izraelin. Në të njëjtën kohë, ne vazhdojmë të shohim që Hamasi fshihet në këto zona, për të kryer operacionet e tij dhe për të krijuar një kërcënim të vazhdueshëm. Gjithashtu shikojmë që i ka nën kontroll këto zona dhe i përdor në mënyra të ndryshme".

Kjo situatë nënvizon edhe një herë urgjencën e arritjes së armëpushimit në Rripin e Gazës, deklaroi Blinken, i cili shtoi: "Sepse kjo është mënyra më e mirë për të siguruar që ne të kemi një zonë të vërtetë të mbrojtur në gjithë Gazën".

Izraeli goditi të njëjtën shkollë për të pestën herë

Në deklaratën e bërë nga Drejtoria e Mbrojtjes Civile në Rripin e Gazës, thuhet se 18 persona humbën jetën, mes tyre gra dhe fëmijë, ndërsa u plagosën 18 të tjerë në sulmin e kryer më 11 shtator ndaj shkollës Al-Jaouni të UNRWA-së në kampin e refugjatëve Nusseirat në pjesën qendrore të Rripit të Gazës, në të cilën janë strehuar civilë të zhvendosur.

Në deklaratë thuhet se ky ishte sulmi i pestë që ushtria izraelite ka kryer ndaj së njëjtës shkollë.

Ndërkohë, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, njoftoi se në sulm u vranë gjashtë punonjës nga personeli i OKB-së.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın