Bolivi, shpallet "emergjencë kombëtare" për shkak të përmbytjeve
Presidenti i Bolivisë, Luis Arce tha se kanë shpallur "emergjencë kombëtare" me qëllimin për të përdorur më efektivisht burimet teknike, logjistike dhe ekonomike në rajonet e prekura nga përmbytjet

Bolivar
Një "emergjencë kombëtare" është shpallur në Bolivi, shtetin e Amerikës së Jugut, për shkak të përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të dheut të shkaktuara nga reshjet e dendura të shiut, transmeton Anadolu.
Presidenti i Bolivisë, Luis Arce në një deklaratë për mediat tha se 51 persona kanë humbur jetën dhe 378.885 familje janë prekur negativisht nga përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut të shkaktuara nga reshjet e dendura që nga nëntori i vitit 2024.
Ai tha se kanë shpallur "emergjencë kombëtare" me qëllimin për të përdorur më efektivisht burimet teknike, logjistike dhe ekonomike në rajonet e prekura nga përmbytjet.
Më tej Arce ka informuar se ka pasur dëme të rënda materiale në 209 qyteza në 9 rajone të vendit dhe se në luftën kundër fatkeqësive natyrore kanë marrë pjesë një personel më shumë se 4.000 persona dhe se personave në nevojë u janë dorëzuar 234 tonë ndihma humanitare.
Sipas mediave lokale, reshjet e rrëmbyeshme që kanë vazhduar muajt e fundit në kryeqytetin administrativ të vendit, La Paz, kanë shkaktuar shembjen e shumë shtëpive.
Ndërkohë, Senati javën e kaluar miratoi një kredi prej 75 milionë dollarësh nga Banka e Zhvillimit të Amerikës Latine dhe Karaibeve për të ndërhyrë ndaj situatave emergjente të shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore, përfshirë shirat dhe përmbytjet.