Ömer Tuğrul Çam
20 Shtator 2022•Përditësim: 21 Shtator 2022
Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Marrëdhëniet me Jashtë dhe Politikat e Sigurisë, Josep Borrell i ka cilësuar si "stuhi e përsosur" ndikimet e luftës së Ukrainës në çmimet e energjisë dhe ushqimeve dhe ka deklaruar se një krizë financiare po afron, transmeton Anadolu Agency (AA).
Borrell ka kryesuar takimin jozyrtar të ministrave të Jashtëm të BE-së në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (OKB) në New York dhe përpara takimit ka bërë një deklaratë për gazetarët.
Ai rikujtoi se në takimet e vitit të mëparshëm të asamblesë kanë biseduar për Afganistanin ndërsa këtë vit do të diskutojnë për luftën në Ukrainë dhe ndikimin e luftës.
"Lufta në Ukrainë nuk është një luftë që ndodh vetëm në Ukrainë", deklaroi Borrell i cili shtoi më tej:
"Ukrainasit po luftojnë, po bombardohen me raketa. Ndërsa pjesa tjetër e botës ndikohet nga rritjet e çmimeve të energjisë dhe ushqimeve si dhe nga mjedisi i pasigurisë në rritje dhe normat e larta të interesit. Këtë mund ta cilësojmë si një stuhi të përsosur ku çmimet e larta të energjisë dhe ushqimeve të shkaktuara nga lufta po formojnë një krizë financiare që afron".
Borrel ka informuar se me ministrat e Jashtëm do të diskutojnë për këto çështje dhe se çfarë mund të bëjnë kundër retorikës së Rusisë e cila thekson se këto probleme janë shfaqur për shkak të sanksioneve të BE-së.
Ai theksoi se në agjendën e tyre krahas krizës mes Azerbajxhanit dhe Armenisë janë edhe problemet mes Kirgistanit dhe Taxhikistanit në Azinë e Mesme dhe se pika kryesore e agjendës janë efektet e luftës në Ukrainë.