Hasan Esen
13 Janar 2020•Përditësim: 15 Janar 2020
Ambasadori iranian në Londër, Hamid Baeidinejad, është thirrur në Ministrinë e Jashtme britanike për shkak të paraburgimit për një kohë të shkurtër të ambasadorit britanik në Teheran, Rob Macaire, transmeton Anadolu Agency (AA).
Nëpërmjet një deklarate me shkrim, Ministria e Jashtme e Britanisë vuri në dukje se është e "papranueshme" arrestimi i Rob Macaire gjatë një ceremonie përkujtimore.
"Kjo shkel marrëveshjen e Vjenës dhe duhet të hetohet", thuhet në deklaratën ku theksohet më tej se ambasadori iranian në Londër, Baeidinejad u thirr në Ministrinë e Jashtme.
Lidhur me këtë edhe njëri nga zëdhënësit e kryeministrit britanik, Boris Johnson, ka thënë se Britania "dëshiron të marrë një garanci se kjo nuk do të ndodhë më përsëri".
Arrestimi i ambasadorit britanik
Ambasadori britanik në Teheran, Rob Macaire me pretendimet se është përpjekur të "organizojë dhe nxisë disa aktivitete radikale dhe rrënuese" u arrestua për një kohë të shkurtër dhe më pas u lirua më 11 janar, pasi ai kishte marrë pjesë në një ceremoni përkujtimore të zhvilluar në Iran për personat që humbën jetën në avionin ukrainas për të cilin Irani deklaroi se e ka rrëzuar gabimisht.
Sekretari i Jashtëm britanik, Dominic Raab, reagoi ndaj arrestimit të Macaire duke thënë se kjo është "shkelje e tepruar" e ligjit ndërkombëtar.
Ndërkohë Irani i dërgoi notë proteste Qeverisë së Londrës me arsyetimin se ambasadori britanik në Teheran ka marrë pjesë në "protesta të paligjshme".