Tayfun Salcı
31 Janar 2017•Përditësim: 31 Janar 2017
LONDËR (AA) - Është rritur presioni i opinionit publik ndaj kryeministres britanike Theresa May, e cila gjatë vizitës së saj zyrtare në SHBA javën e kaluar presidentit amerikan Donald Trump ia përcolli ftesën e mbretëreshës Elizabeta II për ta vizituar Britaninë, raporton Anadolu Agency (AA).
Liderja e parë në botë që u takua me presidentin amerikan Donald Trump gjatë javës së kaluar, Theresa May, është përballur me gjendje të vështirë për shkak të ftesës të cilën ia përcolli presidentit amerikan gjatë takimit për të zhvilluar vizitë shtetërore në Britani.
Peticioni i cili si rrjedhojë u iniciua në Parlamentin e Britanisë për tërheqjen e ftesës ndaj Trump, deri më tani ka arritur të tubojë një milion e 650 nënshkrime, ndërkohë që ish-Sekretari Permanent në Ministrinë e Punëve të Jashtme Peter Ricketts ka akuzuar kryeministren May se ka shpejtuar me ftesën.
Ricketts, i cili ka dërguar letër në gazetën The Times në lidhje me këtë çështje, ka theksuar se ftesa ndaj Trump ka qenë shumë e hershme. "Para se mbretëresha të jepte rekomandimin për një ftesë të këtillë, do të ishte më së mirë sikur të pritej dhe të shihej se çfarë presidenti do të jetë Trump. Mbretëresha u la në gjendje të vështirë", është shprehur Ricketts.
Në letrën e tij, Ricketts ka theksuar se asnjë president amerikan më parë nuk është ftuar kaq shpejt që ta vizitojë Britaninë.
Nga ana tjetër, May akuzohet se para se ta ftonte Trumpin ka qenë në dijeni për vendimin e presidentit amerikan për ta ndaluar hyrjen e shtetasve nga shtatë shtete muslimane.