Hasan Esen
20 Maj 2020•Përditësim: 21 Maj 2020
Numri i të vdekurve nga koronavirusi i ri (COVID-19) në Mbretërinë e Bashkuar është rritur në 35.704, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas ministrit të Kulturës Oliver Dowden, i cili u adresua në konferencën e përditshme për shtyp, numri i viktimave të shkaktuara nga COVID-19 u rrit me 363 në vend në 24 orët e fundit.
Numri i të infektuarve deri më tani në Britani ka arritur në 248.293, pasi në 24 orët e kaluara janë diagnostikuar 2.472 persona.
Me 177.216 teste të reja, numri i testeve në Britani ka arritur në 2.962.227.
Dowden tha se në kuadër të fushatave humanitare të institucioneve të ndryshme deri më tani janë tubuar 800 milionë sterlina.
Në fjalën e tij, Dowden tha se "lista e nderit" e cila publikohet çdo vit me rastin e ditëlindjes së Mbretëreshës Elizabeta e Dytë, këtë vit do të shpallet në vjeshtë, në mënyrë që të mund të shtohen edhe "heronjtë" të cilët luftuan në front kundër pandemisë.
Mbretëria e Bashkuar zë vendin e dytë në botë pas SHBA-së dhe të parin në Evropë për sa i përket numrit të viktimave.