Britania e quan "të tmerrshme" vrasjen e civilëve nga sulmet izraelite në Gaza
“Diplomaci, jo më gjakderdhje, është mënyra se si ne kemi siguri për izraelitët dhe palestinezët”, tha sekretari i Jashtëm David Lammy

Londër
Sekretari i Jashtëm britanik shprehu shqetësimin për sulmet ajrore vdekjeprurëse të Izraelit në Gaza që vranë mbi 400 palestinezë, duke i quajtur viktimat civile “të tmerrshme”, transmeton Anadolu.
“Të gjitha palët duhet të riangazhohen me negociata për të nxjerrë pengjet, për të rritur ndihmat dhe për të siguruar një fund të përhershëm të këtij konflikti”, tha David Lammy në X.
Lammy, i cili shprehu shqetësimin për vdekjet “e tmerrshme” të civilëve, shtoi: “Diplomaci, jo më gjakderdhje, është mënyra se si ne kemi siguri për izraelitët dhe palestinezët”.
Ushtria izraelite sulmoi Rripin e Gazës herët sot, duke vrarë të paktën 404 njerëz dhe duke plagosur qindra të tjerë, duke thyer marrëveshjen e armëpushimit me grupin e rezistencës palestineze Hamas, që hyri në fuqi më 19 janar, sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë.
Pamjet e dala nga Gaza tregojnë se shumica e viktimave ishin civilë, duke përfshirë gra dhe fëmijë, shtëpitë e të cilëve u bombarduan gjatë natës.
Më shumë se 48.500 palestinezë janë vrarë, kryesisht gra dhe fëmijë, dhe mbi 112.000 të tjerë janë plagosur në një fushatë brutale ushtarake izraelite në Gaza që nga tetori i vitit 2023.
Në nëntor 2024, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhra arresti për kryeministrin Benjamin Netanyahun dhe ish-ministrin e tij të Mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli gjithashtu përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij në enklavën palestineze.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.