Ekip
10 nëntor 2022•Përditësim: 10 nëntor 2022
Britania ka ngrirë asete ruse me vlerë 20,5 miliardë dollarë duke u bazuar në sanksionet e vendosura për shkak të luftës së Rusisë në Ukrainë, njoftoi Zyra e Qeverisë për Zbatimin e Sanksioneve Financiare (OFSI), transmeton Anadolu Agency (AA).
Në njoftim thuhet se Britania, së bashku me aleatët e saj, ka vendosur sanksionet më të rënda me të cilat Rusia është përballur ndonjëherë.
Vendi deri më tani ka sanksionuar më shumë se 1.200 individë dhe më shumë se 120 subjekte në Rusi, duke përfshirë sipërmarrës, kompani dhe politikanë të shquar, si dhe ka ngrirë asetet e 19 bankave ruse me vlerë 1,07 trilion dollarë.
"Si mbrojtës të palëkundur të demokracisë, Britania është e bashkuar me aleatët e saj për të kundërshtuar pushtimin barbar dhe të paprovokuar të Rusisë në Ukrainë. Ne kemi vendosur sanksionet më të ashpra ndonjëherë ndaj Rusisë dhe kjo e ka gjymtuar makinerinë e saj të luftës", tha Andrew Griffith, sekretari ekonomik i Thesarit të Mbretërisë së Bashkuar.
Anne-Marie Trevelyan, sekretare në Ministrinë e Jashtme, tha se ngrirja e aseteve ruse kishte për qëllim "ndalimin e financimit të makinerisë luftarake" të presidentit rus Vladimir Putin.
"Ne do të vazhdojmë të ashpërsojmë sanksionet tona për të ushtruar presion maksimal ekonomik mbi regjimin rus deri sa Ukraina të triumfojë", tha Trevelyan.
Qeveria në një deklaratë potencoi se sanksionet kanë degraduar makinerinë ushtarake të Moskës, ndërsa parashikimet janë se PBB-ja e Rusisë pritet të bjerë deri në 6,2 për qind në vitin 2022 krahasuar me parashikimet para pushtimit.