Ata Ufuk Şeker
19 Dhjetor 2017•Përditësim: 19 Dhjetor 2017
BRUKSEL (AA) - Ministrat e Energjisë të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian (BE), vendosën një objektiv të përbashkët që konsumi i energjisë nga burimet e rinovueshme të arrijë 27 për qind deri në vitin 2030, raporton Anadolu Agency (AA).
Ministrat e Energjisë së 28 vendeve anëtare të BE-së u takuan në Bruksel për mbledhjen "Këshilli për Transport, Telekomunikacion dhe Energji".
Këshilli i BE-së pas një mbledhjeje e cila zgjati afro 15 orë njoftoi se është përcaktuar një pozicion i përbashkët për negociatat që do të zhvillohen me Parlamentin Evropian (PE) në lidhje me rregulloret e ndryshme në fushën e energjisë.
Sipas kësaj pjesa e energjisë së rinovueshme në konsumin total të energjisë së BE-së deri në vitin 2030 do të jetë të paktën 27 për qind.
Ndërsa në sektorin e transportit objektivi për energji të rinovueshme është përcaktuar 14 për qind. Planifikohet që në 3 për qind të automjeteve të përdoret biokarburante.
PE në muajin nëntor bëri thirrje që objektivi i BE-së për energji të rinovueshme të vitit 2030 të jetë 35 për qind.
Këshilli i BE-së dhe PE vitin e ardhshëm do të zhvillojnë negociata në lidhje me këto rregullore.