Gökhan Kurtaran
21 Shkurt 2016•Përditësim: 22 Shkurt 2016
LONDËR (AA) – Kryeministri britanik David Cameron ka deklaruar se me qëndrimin në Bashkimin Evropian (BE), Britania e Madhe do të ishte një shtet më i fortë dhe më me ndikim, kurse dalja nga BE-ja do të jetë "një hap drejt humnerës", raporton Anadolu Agency (AA).
Qytetarët e Britanisë në referendumin që do të mbahet më 23 qershor të këtij viti do të përcaktohen nëse vendi do të qëndrojë ose do të dalë nga BE-ja, ndërsa kryeministri britanik Cameron tha se në bisedimet me udhëheqësit e BE-së ka arritur që Britania të ketë status të veçantë dhe paralajmëroi se do të nisë fushatë për të qëndruar në BE.
"Dua më të mirën për Britaninë, e ajo është të qëndrojë në BE. Konsideroj se me qëndrimin në BE do të jemi shumë më të fortë dhe më lehtë mund të zgjidhim problemet tona në tregun e madh të përbashkët", tha Cameron në programin e Andrew Marr Show në BBC.
Duke theksuar se qëndrimi në BE është zgjidhje më e mirë edhe në aspektin e sigurisë për Britaninë e Madhe, për shkak se me këtë rast do të zhvillohet luftë më efikase e përbashkët kundër krimit dhe terrorizmit, Cameron tha se dalja nga BE-ja do të ishte një hap drejt humnerës në një kohë kur bota po ballafaqohet me kriza dhe mungesë të stabilitetit.
"Në tregun e përbashkët do të udhëheqnim politikë bashkëpunimi politik për të vendosur siguri dhe paqe në vend dhe në botë. Nuk do të jemi në projektet e BE-së që nuk na pëlqejnë. Dalja e Britanisë nga BE-ja mund vetëm formalisht të krijojë ndjenjën e pavarësisë. Megjithatë, duhet të pyetni veten nëse kjo është vërtetë kështu. Dalja nga BE-ja mund të krijojë iluzionin e pavarësisë, por mbetemi pa fuqi dhe kontroll", tha Cameron.
Ai ka thënë se të gjithë anëtarët e qeverisë së Britanisë të martën përshëndetën marrëveshjen e arritur me BE-në, dhe 23 nga 29 ministrat thanë se qëndrimi në BE-në e reformuar është opsioni më i mirë për Londrën.