Carlsberg: Coca-Cola po bojkotohet nga danezët
Shefi ekzekutiv i kompanisë që mbush pijen amerikane Coca-Cola në Danimarka theksoi se bojkoti nuk ka një “efekt dramatik” në shitje, por markat më të vogla lokale po fitojnë pjesë të tregut kundrejt mallrave amerikane

Istanbul
Kompania Carlsberg, e cila mbush shishet e pijes amerikane Coca-Cola në Danimarkë, ka bërë të ditur se populli danez po bojkoton pijen, transmeton Anadolu.
“Vëllimet tona të pijes Coca-Cola kanë rënë pak në Danimarkë”, u tha investitorëve Jacob Aarup-Andersen, shefi ekzekutiv i kompanisë Carlsberg, pas publikimit të rezultateve financiare.
"Ekziston një nivel bojkoti i konsumatorëve rreth markave amerikane dhe është i vetmi treg ku po e shohim këtë në një masë të madhe”, tha shefi i kompanisë që mbush pijen Coca-Cola në Danimarkë.
Aarup-Andersen theksoi se bojkoti nuk ka një “efekt dramatik” në shitje, por markat më të vogla lokale po fitojnë pjesë të tregut kundrejt mallrave amerikane.
Ai tha se kompania nuk ishte as pro dhe as kundër një bojkoti.
"Ne i respektojmë plotësisht vendimet e njerëzve", tha Aarup-Andersen, duke sqaruar se Pepsi dhe Coca-Cola "të dyja po prodhohen nga punëtorët danezë në fabrikat daneze të birrës, kështu që, nga perspektiva jonë, këto janë shumë marka daneze".
Bojkoti vjen pas komenteve të përsëritura të presidentit të SHBA-së, Donald Trump, në lidhje me interesin e tij në territorin danez të Grenlandës.
"Ne kemi nevojë për Grenlandën... për sigurinë ndërkombëtare. Ne duhet ta kemi Grenlandën", tha Trump më 28 mars.
Më 29 mars, zv/presidenti i SHBA-së, JD Vance, kritikoi Danimarkën se nuk është një "aleat i mirë".
Shitjet e pijes Coca-Cola kanë rënë ndjeshëm vitet e fundit për shkak të bojkoteve, veçanërisht në vendet me shumicë muslimane, për shkak të lidhjes së dyshuar të kompanisë me luftën gjenocidale të Izraelit në Rripin e Gazës.
Të ardhurat e kompanisë ranë me 2 për qind në tremujorin e parë të vitit 2025, në 11.1 miliardë dollarë.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.