Ali Cura
07 Korrik 2022•Përditësim: 07 Korrik 2022
Ministri i Jashtëm i Türkiye-s (Turqisë), Mevlüt Çavuşoğlu u takua me ministrin e Jashtëm rus, Sergej Lavrov, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Me homologun tim rus, Lavrov, të cilin e takova në margjinat e Takimit të Ministrave të Jashtëm të G20, diskutuam për luftën në Ukrainë, sigurinë ushqimore dhe zhvillimet në Siri”, tha Çavuşoğlu në llogarinë e tij në Twitter.
Në një deklaratë me shkrim nga Ministria e Punëve të Jashtme të Rusisë thuhet se Lavrov dhe Çavuşoğlu zhvilluan takim dypalësh në kuadër të Takimit të Ministrave të Jashtëm të G20 që u mbajt në Bali të Indonezisë.
Ai tha se gjatë bisedimeve u bë një shkëmbim gjithëpërfshirës i pikëpamjeve mbi agjendën ndërkombëtare dhe rajonale. Rreth situatës në Ukrainë thuhet se "Është theksuar qëndrimi parimor i Rusisë për papranueshmërinë e mbështetjes së mëtejshme perëndimore për ambiciet militariste të regjimit të Kievit, i cili inkurajoi autoritetet ukrainase të tërhiqen nga marrëveshjet e paqes të arritura më parë".
Duke theksuar rëndësinë e një koordinimi më të madh të përpjekjeve midis departamenteve diplomatike dhe ushtarake për të garantuar sigurinë e civilëve dhe operatorëve ekonomikë në Ukrainë, përfshirë të huajt, më tej thuhet se të dy ministrat prekën çështje të tjera ndërkombëtare, përfshirë ndërveprimin midis Rusisë dhe Türkiye-s në Detit të Zi dhe në kuadër të strukturave shumëpalëshe.
Në deklaratë thuhet se dy ministrat shprehën kënaqësinë e tyre për dinamikën e nivelit më të lartë të dialogut politik midis Rusisë dhe Türkiye-s në vitin 2022. Ministrat ritheksuan se udhëheqësit e Rusisë dhe Türkiye-s janë të gatshëm të mbajnë kontakte të ngushta, përfshirë takime kokë më kokë.