Cilësia e ajrit në New Delhi në nivelin më të keq
Niveli i ndotjes së ajrit, i cili kërcënon shëndetin e miliona njerëzve në kryeqytetin e Indisë, New Delhi, u regjistrua të jetë 481 në matjet e fundit dhe u ngrit në kategorinë "jashtëzakonisht e rëndë"
Ankara
Cilësia e ajrit në kryeqytetin e Indisë, New Delhi, ka tejkaluar kufirin e sipërm të kategorisë "të rëndë" dhe ka arritur nivelin më të keq të regjistruar së fundmi, transmeton Anadolu.
Siç raporton kanali indian NDTV, të dhënat e Indeksit të Cilësisë së ajrit (AQI), treguan se niveli i ndotjes së ajrit, i cili kërcënon shëndetin e miliona njerëzve në New Delhi, u regjistrua të jetë 481 në matjet e fundit dhe u ngrit në kategorinë "jashtëzakonisht e rëndë".
Sipas të dhënave, tymi toksik dhe mjegulla e shkaktuar nga ndotja e ajrit që kalon kufirin e sipërm të kategorisë së "rëndë" prej 450 AQI, ndikoi negativisht në fluturimet dhe shërbimet e trenave në rajon, pasi uli dukshmërinë në qytet në 150 metra.
Pas kësaj zyrtarët njoftuan se kanë marrë masa më të rrepta për uljen e ndikimit të ndotjes së ajrit.
Në kuadër të masave, autoritetet deklaruan se të gjithë kamionët dhe automjetet e ngjashme që nuk përdorin karburant me energji të pastër u ndaluan të hyjnë në New Delhi, ndërsa këshilluan fëmijët, të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike si ato të frymëmarrjes, kardiovaskulare dhe cerebrovaskulare të qëndrojnë në zona të mbyllura.
Autoritetet deklaruan se mësimi ballë për ballë në shkolla u pezullua për të gjithë nxënësit, përveç klasave të 10-ta dhe të 12-ta.
Në Indi po zbatohet "Graded Response Action Plan" (GRAP) për ndotjen e ajrit, i cili ndahet në 4 kategori: "shumë e ulët", "e ulët", "e rëndë" dhe "jashtëzakonisht e rëndë". Me rritjen e cilësisë së ajrit në kategorinë "jashtëzakonisht e rëndë", aktivitetet që përfshijnë përdorimin e qymyrit dhe drurit si dhe gjeneratorëve të naftës, përveç rasteve emergjente, janë ndaluar në Indi nën masat e GRAP.
Qytetarët në New Delhi u nxitën të përdorin transportin publik për të zvogëluar lëvizjen dhe emetimet e automjeteve në qytet sa më shumë që të jetë e mundur. Edhe pse çdo vit në festivale ndalohet shitja e produkteve si fishekzjarrë, furnizimi i tyre nga qytetet e tjera nuk mund të parandalohet.