Riyaz Khaliq
13 Tetor 2020•Përditësim: 13 Tetor 2020
Kina po gjurmon personat që së fundmi vizituan qytetin lindor Qingdao përderisa vazhdon testimi masiv për koronavirusin e ri (COVID-19) në zonë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Mediat lokale raportojnë se pothuajse 225 mijë persona që udhëtuan që nga 23 shtatori në Qingdao nga qytete të tjera në provincën Shandong u gjurmuan dhe u testuan për virusin COVID-19.
Megjithatë, të gjitha testet e acidit nukleik të atyre që gjurmohen kanë rezultuar negativ.
Dje, Kina në qytetin Qingdao filloi testimin urgjent masiv të koronavirusit.
Komisioni komunal i shëndetit në qytetin Qingdao të dielën konfirmoi gjashtë infeksione nga virusi, ndërsa gjashtë të tjera u zbuluan si raste asimptomatike.
Testimi për mbi 9 milionë banorë të qytetit në pesë krahina pritet të përfundojë deri nesër.
China Daily raportoi se deri në mëngjesin e sotëm nuk është zbuluar asnjë infeksion i ri, pas testimit të tre milionë personave nga autoritetet shëndetësore. Nga tre milionë testet e kryera, deri më tani mbi 1.1 milionë kanë rezultuar negativ.
Komisioni Kombëtar i Shëndetit i Kinës gjatë 24 orëve të fundit regjistroi 13 raste të tjera të importuara, ndërsa deri më tani ka raportuar gjithsej 3.036 raste të importuara.
Që nga shpërthimi i koronavirusit për herë të parë në Wuhan të Kinës, Kina ka konfirmuar 85.591 raste, përfshirë 4.634 viktima dhe 80.729 pacientë të shëruar dhe të lëshuar nga spitalet.
"Kanë mbetur 228 raste të konfirmuara, përfshirë një rast në gjendje të rëndë dhe 7 raste të dyshuara", tha Komisioni Kombëtar i Shëndetit.