Islam Uddin
08 Maj 2020•Përditësim: 08 Maj 2020
Kufizimet e koronavirusit të ri (COVID-19) në Australi do të lehtësohen në tre faza nga muaji maj deri në muajin korrik, transmeton Anadolu Agency (AA).
Kryeministri Scott Morrison njoftoi planin pasi kabineti i tij aprovoi një "udhërrëfyes me tre hapa" për të cilin ai tha se shpresojnë që të përfshihet deri në muajin korrik.
ABC News raporton se vendimi vjen kur numri i përgjithshëm i rasteve në Australi është 6.896, përfshirë 97 vdekje dhe 6.035 shërime.
Në fazën e parë, restorantet, kafenetë dhe qendrat tregtare do të rihapen, së bashku me bibliotekat, qendrat e komunitetit dhe sheshet e lojërave.
Australianët po ashtu do të jenë në gjendje të ndërmarrin udhëtime rajonale dhe lokale.
Njerëzit do të lejohen të pranojnë pesë vizitorë në shtëpi, ndërsa maksimumi dhjetë persona mund të mblidhen në biznes dhe vende publike.
Dasmat po ashtu do të lejohen, me një maksimum prej 13 personash, ndërsa në funeralet e brendshme dhe të jashtme do të mund të marrin pjesë 20 deri në 30 persona.
Sipas ABC News, palestrat, kinematë, galeritë, sallonet e bukurisë dhe parqet argëtuese do të rihapen në fazën e dytë, e cila siç parashikohet do të fillojë nga 15 qershori.
Grumbullimi i 20 personave do të lejohet në shtëpi, biznese dhe vende publike, së bashku me disa udhëtime ndërshtetërore.
Në fazën përfundimtare, do të lejohet mbledhja e 100 personave, si dhe do të rihapen klubet e natës, fushat e ushqimit dhe saunat.
Kryeministri Morrison tha se jeta do të ishte afër normales pasi vendi të hyjë në fazën e tretë.
Megjithatë, udhëtimi ndërkombëtar nuk ishte i përfshirë në planin prej tre fazave, pasi kryeministri i Australisë tha se nuk ishte ende në shqyrtim.
Menjëherë pas njoftimit të kryeministrit Morrison, disa vende përfshirë, Queensland, Australinë e Jugut dhe Tasmania, njoftuan se do të lehtësonin disa kufizime.