Adil Essabiti,Gülşen Topçu
20 Shkurt 2017•Përditësim: 20 Shkurt 2017
TUNIS (AA) - Presidenti i Tunizisë, El Baxhi Kaid es-Sibsi ka thënë se për gjetjen e zgjidhjes për problemin në Libi duhet bërë pa ndërhyrje të huaj, raporton Anadolu Agency (AA).
Duke folur për televizionin tunizian "Nesme", Sibsi është shprehur se "Tunizia, Algjeria dhe Egjipti ndajnë mendimin se për problemin e Libisë duhet gjetur zgjidhje pa ndërhyrje të jashtme. Edhe libianët janë të mendimit të njëjtë me ne në këtë aspekt. Nëse zgjidhje nuk bëhet brenda Libisë, atëherë Tunizia nuk do të përfshihet në këtë çështje."
Ndërkaq, duke theksuar se palët në Libi kanë pikëpamje të ndryshme dhe se janë duke u përpjekur për të siguruar konsensus mes tyre, Sibsi ka thënë se "Nuk mund të prodhohet zgjidhje për krizën e Libisë në të cilën nuk bën pjesë Tunizia, Egjipti dhe Algjeria."
Po ashtu, Sibsi ka folur edhe për iniciativën e filluar për t'i sjellë në një tryezë palët në Libi, duke vënë në pah se kanë parapëlqyer që në iniciativë t'i përfshijnë edhe Egjiptin dhe Algjerinë.
Ndryshe, më herët në Tunizi u mblodhën ministrat e jashtëm të shteteve fqinje të Libisë, konkretisht Tunizisë, Algjerisë dhe Egjiptit, pasi paraprakisht në fillim të këtij viti Sibsi kishte bërë thirrje për zhvillimin e një diplomacie në kuadër të ministrave të jashtëm të tri shteteve aktive fqinje të Libisë si pjesë e iniciativës së filluar për gjetjen e zgjidhjes për Libinë.