Ekip
14 shkurt 2018•Përditësim: 14 shkurt 2018
KOPENHAGË (AA) - Bashkëshorti i Mbretëreshës së Danimarkës Margrethe II, Princi Henrik, i cili publikisht ka reaguar për statusin e pabarabartë social me gruan dhe djalin e tij, ndërroi jetë të martën vonë në moshën 83 vjeçare, bëri të ditur pallati mbretëror, transmeton Anadolu Agency (AA).
Ai vuajti nga demencia që nga viti 2017, dhe në fund të janarit të këtij viti u shtrua në spital për shkak të infeksionit të mushkërive.
Të premten e kaluar iu përkeqësua gjendja, pas së cilës nga spitali u transferua në rezidencën familjare në veri të Kopenhagës, ku mbrëmë në ora 23:18 u nda nga jeta.
Sipas njoftimit, princi donte të kalonte momentet e tij të fundit aty, ndërsa pranë tij ishin mbretëresha dhe dy djemtë e tyre.
Në Kopenhagë, si shenjë e pikëllimit dhe respektit për princin Henrik, flamujt u ulën në gjysmë shtizë këtë mëngjes. Radiot kombëtare ndryshuan programin në mëngjes duke transmetuar muzikë serioze.
Familja mbretërore daneze nuk ka kurrfarë fuqie politike, por është një nga mbretëritë më të vjetra në botë dhe është krenare për stabilitetin e saj.
Megjithatë, Princi Henrik, në gusht të vitit të kaluar shkaktoi një skandal duke thënë se nuk dëshiron të varroset pranë Margrethe II në katedralen ku monarkët danezë varrosen për shekuj.
Mbretëresha e Danimarkës tashmë ka dizajnuar një sarkofagë të veçantë për të dy.
Megjithëse nuk dihen arsyet për një qëndrim të tillë, në mesin e viteve të '80-ta, Henrik publikisht tha se dëshironte pagë në vend që të mbështetej tek mbretëresha, e cila merrte shtesa vjetore.
Princi Henrik u lind më 11 qershor 1934 në jugperëndim të Francës si Henri Marie Jean de Laborde de Monpezat. Prindërit e tij mbanin titullin e dukës dhe dukeshës kurse me Mbretëreshën e Danimarkës u martua në vitin 1967.
Henri u bë Henrik dhe u vendos në kishën luterane daneze, por e pati të vështirë të përshtatej në mënyrën e jetesës egalitare daneze.
Ai la prapa gruan e tij, djemtë, princin e kurorës Frederik dhe princin Joachim dhe tetë nipër e mbesa.