Bota

Demonstrata në Betlehem, kërkohet hetim ndërkombëtar për vrasjen e punonjësve mjekësor palestinezë

Demonstrata u zhvillua para Kishës së Lindjes, ku pjesëmarrësit mbanin pankarta dhe fotografi të personelit mjekësor nga Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze, të cilët u vranë në sulmet e fundit izraelite, veçanërisht në Rafah

Abdulbesar Ademi  | 23.04.2025 - Përdıtësım : 24.04.2025
Demonstrata në Betlehem, kërkohet hetim ndërkombëtar për vrasjen e punonjësve mjekësor palestinezë

Shkup

Protestuesit janë mbledhur në qytetin Betlehem të Bregut Perëndimor të pushtuar, duke kërkuar një hetim ndërkombëtar për vrasjen e punonjësve palestinezë të kujdesit shëndetësor në sulmet izraelite, raporton Anadolu.

Demonstrata u zhvillua para Kishës së Lindjes, ku pjesëmarrësit mbanin pankarta dhe fotografi të personelit mjekësor nga Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze, të cilët u vranë në sulmet e fundit izraelite, veçanërisht në Rafah.

Protestuesit kërkuan një hetim të pavarur ndërkombëtar për vënien në shënjestër të punonjësve të kujdesit shëndetësor në Gaza.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), të paktën 670 sulme ndaj objekteve shëndetësore janë regjistruar midis 7 tetorit të vitit 2023 dhe 14 marsit të vitit 2024, duke dëmtuar 122 qendra mjekësore dhe 33 spitale.

Më 12 prill, ushtria izraelite njoftoi se ka përfunduar rrethimin e qytetit Rafah, duke krijuar “Korridorin Morag” për ta shkëputur atë nga qyteti Khan Younis në Gazën jugore.

Më 18 mars, Izraeli rifilloi ofensivën duke thyer marrëveshjen e armëpushimit dhe shkëmbimit të të burgosurve që ishte në fuqi që nga 19 janari.

Që nga tetori i vitit 2023, sipas autoriteteve lokale shëndetësore, fushata ushtarake e Izraelit në Gaza ka vrarë të paktën 51.300 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë.

Nëntorin e vitit 2023, Gjykata Penale Ndërkombëtare lëshoi urdhër-arreste ndaj kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime të dyshuara të luftës dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Përveç kësaj, Izraeli përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e ngritur nga Afrika e Jugut lidhur me operacionet e saj ushtarake në enklavën e rrethuar.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.