Ömer Tuğrul Çam
30 mars 2023•Përditësim: 31 mars 2023
Një grup deputetësh nga Parlamenti Evropian (PE) kërkuan që të ndalet dhuna e policisë ndaj protestuesve kundër reformës së pensioneve në Francë, transmeton Anadolu.
Deputetët e grupit të majtë në PE protestuan para ndërtesës së PE-së në Bruksel të Belgjikës.
Më shumë se 20 deputetë, që mbanin pankarta "Stop brutalitetit të policisë në Francë", akuzuan policinë franceze për dhunë brutale ndaj protestuesve.
Në një deklaratë nga Grupi i Majtë në PE u theksua se njerëzit në Francë u përballën me dhunën policore gjatë ushtrimit të së drejtës së tyre për demonstrim demokratik.
"Sot, deputetët e PE-së po japin një mesazh nga parlamenti kundër dhunës policore. Dhuna nuk mund të jetë justifikim. Ne nuk mund të tolerojmë abuzimin e pushtetit”, tha Grupi i Majtë i PE-së.
Në Francë prej disa kohësh po zhvillohen protesta dhe greva kundër reformës së diskutueshme të pensioneve, e cila përfshin rritjen e moshës së pensionit nga 62 në 64-vjeç, të cilën qeveria e miratoi drejtpërdrejt pa votim në parlament.