Bota

Disa emigrantë që u transferuan në Shqipëri kthehen në Itali

Raportohet se 5 nga 49 emigrantët e parregullt që u transferuan në Shqipëri në bazë të marrëveshjes Shqipëri-Itali për qendrat e emigrantëve janë rikthyer në Itali

Fatjon Cuka  | 29.01.2025 - Përdıtësım : 30.01.2025
Disa emigrantë që u transferuan në Shqipëri kthehen në Itali

Albania

Disa emigrantë të paligjshëm që u transferuan në Shqipëri gjatë ditës së djeshme kthehen përsëri në Itali, transmeton Anadolu.

Raportohet se 5 nga 49 emigrantët e parregullt që u transferuan në Shqipëri në bazë të marrëveshjes Shqipëri-Itali për qendrat e emigrantëve janë rikthyer në Itali.

Sipas raportimeve në media, emigrantët e kthyer përfshijnë të mitur dhe të tjerë me kushte shëndetësore të papërshtatshme për të qëndruar në qendrën e emigrantëve.

Anija e Marinës italiane "Cassiopea" me 49 emigrantë mbërriti në orët e mëngjesit të 28 janarit në Portin e Shëngjinit, nën shoqërimin e përfaqësuesve të autoriteteve italiane.

Është raportuar se bëhet fjalë për 49 emigrantë nga Bangladeshi, Egjipti, Bregu i Fildishtë dhe Gambia, të cilët pas kontrolleve janë transferuar në kampin e ndërtuar në fshatin Gjadër të Qarkut të Lezhës, në pritje të përpunimit të kërkesave të tyre për azil.

Ardhja në Shqipëri e një grupi tjetër emigrantësh të paligjshëm ka riaktivizuar marrëveshjen Shqipëri-Itali për qendrat e emigrantëve.

Gjatë vitit 2024 mbërritën edhe dy grupe emigrantësh, por u rikthyen përsëri në Itali pas vendimit të gjykatave italiane.


- Protokolli Shqipëri-Itali për çështjen e emigracionit

Më 6 nëntor të vitit 2023, mes Shqipërisë dhe Italisë u nënshkrua protokolli i bashkëpunimit për fuqizimin e bashkëpunimit për çështjen e emigracionit, ndërsa marrëveshja shkaktoi reagime në Shqipëri dhe Itali.

Protokolli, në bazë të të cilit u ngritën në Shqipëri qendrat e pritjes së emigrantëve të paligjshëm, u nënshkrua nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni dhe u ratifikua nga Kuvendi i Shqipërisë më 22 shkurt të vitit 2024.

Sipas Qeverisë së Shqipërisë, ky protokoll ka për qëllim forcimin e bashkëpunimit dypalësh ndërmjet palëve për menaxhimin e flukseve migratore nga vendet e treta, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe atë evropiane.

Ndërkohë, sipas protokollit, autoritetet kompetente shqiptare lejojnë hyrjen dhe qëndrimin në territorin shqiptar të emigrantëve të strehuar në strukturat që janë ndërtuar, me qëllimin e vetëm të kryerjes së procedurave kufitare apo të riatdhesimit.

Qendrat që janë ngritur në Qarkun e Lezhës menaxhohen nga autoritetet italiane.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın