Bota

"Duart larg demokracisë": Protesta mbarëkombëtare në SHBA kundër Trumpit dhe Muskut

Në protesta, të cilat u organizuan në gjithë vendin nën moton “Duart larg”, në veçanti në Washington dhe New York, morën pjesë dhjetëra mijëra qytetarë

Islam Doğru  | 06.04.2025 - Përdıtësım : 06.04.2025
"Duart larg demokracisë": Protesta mbarëkombëtare në SHBA kundër Trumpit dhe Muskut Foto: Celal Güneş/AA

New York

Mijëra qytetarë në shumë qytete të SHBA-së protestuan kundër presidentit Donald Trump dhe administratës së tij, transmeton Anadolu.

Në protesta, të cilat u organizuan në gjithë vendin nën moton “Duart larg”, në veçanti në Washington dhe New York, morën pjesë dhjetëra mijëra qytetarë.

Në Parkun e Monumentit të Washingtonit, mijëra protestues mbanin flamuj të SHBA-së, pankarta dhe tabela, duke shprehur pakënaqësinë ndaj politikave të administratës Trump.

Protestuesit shprehën kërkesa me slogane si “Duart larg demokracisë”, “Shkarkoni Trumpin”, “Elon Musk, je tradhtar” dhe “Deportoni urrejtjen”, duke kritikuar politikën e administratës Trump dhe veprimtaritë e Elon Muskut, biznesmenit miliarder që drejton Departamentin e Efiçencës Qeveritare (DOGE).

- Protestë në mbështetje të Palestinës

Po ashtu, në Washington DC, mijëra protestues u mblodhën përpara Kongresit në National Mall, duke mbajtur flamuj palestinezë dhe pankarta kundër sulmeve të Izraelit ndaj Gazës dhe duke shprehur mbështetje për Palestinën.

Protestuesit brohoritën me slogane si “Liri për Palestinën”, “Stop genocidin”, “Trump, nuk mund të fshihesh për genocidin në Palestinë”, duke kundërshtuar sulmet genocidale të Izraelit dhe mbështetjen që administrata Trump ka dhënë për Izraelin.

Protestuesit kërkuan edhe lirimin e aktivistit palestinez Mahmoud Khalil dhe studentes turke të doktoratës Rumeysa Ozturk, të cilët u arrestuan nga oficerët e Emigracionit dhe Doganave në javët e fundit për shkak të mbështetjes ndaj Palestinës.

Në mes të turmës kishte edhe mbështetje nga një grup ortodoks hebre që shprehu mbështetje për Palestinën.

Policia e Washingtonit ndërmori masa të shumta sigurie për shkak të protestave dhe mbylli disa rrugë dhe sheshe për të parandaluar ndodhitë e mundshme.

- Protesta në New York

Në New York, kryesisht në Bryant Park dhe disa lokacione të tjera, mijëra protestues, pavarësisht shiut të fortë, mbushën sheshet për të protestuar kundër administratës Trump.

Gjithashtu u protestua kundër politikave të Elon Muskut.

Sipas raportimeve, rreth 10.000 njerëz morën pjesë në protestën e New Yorkut.

Mediat amerikane raportuan se mbi 150 grupe në mbarë vendin organizuan më shumë se 1.200 protesta në pika të ndryshme, me rreth 600.000 aplikime për pjesëmarrje, duke e bërë këtë protestë si një nga më të mëdhatë gjatë mandatit të dytë të presidentit Trump.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın