Esref Musa, Burak Karacaoglu
28 Tetor 2019•Përditësim: 29 Tetor 2019
Dëshmitarët që biseduan me Anadolu Agency (AA) tregojnë operacionin e SHBA-ve që vrau udhëheqësin e DEASH-it, Abu Bakr al-Baghdadi.
Dje, presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, njoftoi se Baghdadi ishte vrarë në një operacion amerikan në Siri duke e sjellë “drejtuesin numër një në botë para drejtësisë”.
Gjithsej 8 heliopterë amerikanë dhe dy avionë pa pilot u bashkuan në operacionin që zgjati për katër orë.
“Helikopterët mbërritën në orën 23:00 në mbrëmje. Së pari, helikopterët qëlluan në fushë, pastaj një nga helikopterët bombardoi vendin e ngjarjes. Dy helikopterë ulën ushtarët dhe disa helikopterë të tjerë po fluturonin mbi ushtarët”, tha Halit Neccar, dëshmitar i operacionit.
Neccar tha se ata u fshehën nën shkallë nga frika dhe dëgjuan ushtarët që zbritën nga një helikopter, duke biseduar me një civil që i udhëzonte të lëshojnë rajonin.
“Katër shpërthime tronditën fshatin”, tha Neccar, duke shtuar se ata panë trupa të djegur dhe të paidentifikueshëm.
“Ne vërejtëm lëvizje të mëtejshme në rreth gjysmë ore. Helikopterët po i përgjigjeshin zjarrit nga fusha, i cili vazhdoi deri në orën 3:30 të mëngjesit. Operacioni i parë zgjati rreth dy orë e gjysëm. Pas kësaj ne nuk dëgjuam helikopterë, por dëgjuam katër shpërthime të rënda pesë minuta më vonë”, tha Ahmed Muhamed, një dëshmitar tjetër.
“Shtëpitë deri në dy kilometra larg zonës u shkatërruan. Kishte trupa dhe fragmente trupash në të gjithë fushën”, shtoi Muhamed.
Ministria turke e Mbrojtjes dje në llogarinë e saj në Twitter konfirmoi se SHBA dhe autoritetet turke ndanë informacione dhe u koordinuan para fillimit të operacionit për të vrarë udhëheqësin e DEASH-it.
Vendndodhja dhe statusi i kreut të DEASH-it prej kohësh ka qenë një mister, si dhe janë bërë pretendime të shumta se ai ishte vrarë në fusha të betejës në Irak ose në Siri.
Trump falënderoi Turqinë, Rusinë, Sirinë dhe Irakun për bashkëpunimin e tyre në sulm.
Turqia njohu DEASH-in si organizatë terroriste në vitin 2013.
Që atëherë, Turqia është sulmuar nga terroristët e DEASH-it shumë herë, përfshirë në 10 bomba vetëvrasëse, shtatë bomba dhe katër sulm të armatosura.
Këto sulme vranë 315 persona, përfshirë 11 oficerë të policisë dhe dy ushtarë, si dhe plagosën 137 civilë, 62 oficerë të policisë dhe shtatë ushtarë.
Në përgjigje të këtyre sulmeve, Turqia filloi operacione kundër-terroriste brenda dhe jashtë vendit.
Në dy operacione ushtarake ndërkufitare në Siri që nga viti 2016, në operacionin “Mburoja e Eufratit” dhe atë “Dega e Ullirit”, Turqia neutralizoi 3.500 terroristë të DEASH-it dhe arrestoi 5.500.