Dështon për herë të katërt seanca konstiutive e Kuvendit të Kosovës
Sipas Krasniqit, kandidatja Haxhiu nuk do të ketë mbështetjen e PDK-së “në asnjë rrethanë dhe asnjë moment”, duke u arsyetuar se ajo si ministre e Drejtësisë ka qenë e dështuar gjatë mandatit të saj

Prishtinë
Është ndërprerë për herë të katërt seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës në pikën e emërimit të kryetarit të Legjislaturës së Nëntë të Kuvendit të Kosovës, raporton Anadolu.
Në seancë, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, tha se ata nuk e kanë ndryshuar emrin e propozuar për pozitën e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës dhe ajo është Albulena Haxhiu.
Por, meqë, siç tha Konjufca, të gjitha partitë politikë publikisht kanë thënë se nuk do ta përkrahin Haxhiun për kryetare të Kuvendit, ai tha se është e pakuptimtë të votohet, por paraprakisht nevojitet një marrëveshje politike për t’i bërë votat e nevojshme.
“Mendoj se kjo situatë politike nuk mund të zgjidhet përveçse me një marrëveshje politike. Pa krijimin e një mazhorance në Kuvend për Kryetaren e Kuvendit nuk do të mund të themelohet vet Kuvendi”, theksoi Konjufca.
“Ndërpritet seanca konstituve, mblidhemi sërish të mërkurën, më 23 prill, në orën 10:00”, deklaroi kryesuesi i seancës, Avni Dehari, pas deklarimit të Konjufcës.
Më pas, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, tha pas dështimit të seancës se është një situatë e paprecedentë dhe e cila nuk i ka hije një institucioni si Kuvendi i Kosovës.
Ai tha se Lëvizja Vetëvendosje e ka të drejtën për ta propozuar kryetarin e Kuvendit por jo për ta imponuar.
Ai tha se partia më e madhe duhet ta gjejë një kandidat/e tjetër sepse kandidatja që ka dështuar, do të dështojë përsëri për ta fituar shumicën e votave.
Sipas Krasniqit, kandidatja Haxhiu nuk do të ketë mbështetjen e PDK-së “në asnjë rrethanë dhe asnjë moment”, duke u arsyetuar se ajo si ministre e Drejtësisë ka qenë e dështuar gjatë mandatit të saj.
Edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, tha para fillimit të seancës se nuk do ta votojnë kandidaturën e Vetëvendosjes, deputeten Albulena Haxhiu, për pozitën e kryetare të Kuvendit.
Ai e ka përsëritur qëndrimin se do të votojnë kundër, ashtu si herët e kaluara.
Nga 61 vota sa nevojiten minimalisht, deri më tani Albulena Haxhiu mori 57 vota për kryetare të Kuvendit të Kosovës, 48 nga Lëvizja Vetëvendosje dhe 9 nga deputetët që vijnë nga komunitetet.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.