Hussein Mahmoud Ragab Elkabany,Said İbicioğlu
03 Janar 2017•Përditësim: 04 Janar 2017
KAJRO (AA) – Këshilli Musliman i të Urtëve i kryesuar nga Shejhu i Az’harit Ahmed al Tayyeb, ka organizuar konferencë ndërkombëtare në Egjipt në lidhje me mbështetjen e paqes dhe dialogut në Mianmar, raporton Anadolu Agency (AA).
Në konferencën me temë “Dialog njerëzor dhe bashkëkohor për shtetasit e Mianmarit” të organizuar në Kajro, morën pjesë përfaqësues muslimanë, budistë, hinduistë dhe të krishterë, si dhe ambasadori i Mianmarit në Kajro Myint Lwin dhe ish-presidenti i Sudani Abdurrahman Swar ez-Zeheb.
Shejhu i Az’harit gjatë fjalës së tij në hapje të konferencës theksoi nevojën që veçanërisht të rinjtë ta përhapin kulturën e qytetarisë, duke i bërë thirrje popullit të Mianmarit ta lë mënjanë urrejtjen.
Mbledhjen në fjalë Tayyeb e cilësoi si hapi i parë në rrugën e drejtësisë dhe paqes së përhershme në Mianmar.
Ndërkaq, ambasadori Myint Lwin u shpreh se 87,9 për qind e popullsisë së Mianmarit është budiste, 4,3 për qind muslimane, ndërsa pjesa e ngelur janë të krishterë dhe hinduistë.
Duke i mbrojtur parimet paqësore të Budizmit, Lwin tha se shpreson që mbledhja në Kajro të sjellë kontribut për paqen dhe diversitetin kulturor.
Nga ana tjetër, ish-presidenti sudanez Zeheb vuri në pah se e tërë bota është në pritje të një zgjidhjeje të drejt për problemin në Mianmar.
Në konferencë fjalë mori edhe ish-ministri egjiptian i Vakëfeve Mahmud Hamdi Zakzuk, i cili tha se “Bota e cila po vështron se si rrezikohen muslimanët Rohingya, kërkon të gjejë zgjidhje për këtë konflikt.”
Zakzuk i bëri thirrje qeverisë së Mianmarit të hedhë hapa drejt një dialogu mes palëve i cili do të rezultonte me zgjidhje për këtë tragjedi njerëzore.
Ndryshe, në incidentet e dhunës që shpërthyen mes budistëve dhe muslimanëve në shtetin e Arakanit në Mianmar në vitin 2012, humbën jetënnumër i madh i njerëzve, shumica e të cilëve ishin muslimanë, ndërkohë që qindra shtëpi dhe biznese u dogjën dhe mijëra Rohingya u detyruan ta braktisin rajonin.
Sipas ligjit të miratuar në vitin 1982 në Mianmar, muslimanët Rohingya nuk kanë të drejtë shtetësie, ndërsa qeveria i konsideron si “migrantë ilegalë të ardhur nga Bangladeshi”. Në kampet e refugjatëve të Arakanit në perëndim të vendit gjenden afërisht 500 mijë muslimanë Rohingya.
Organizata e Kombeve të Bashkuara muslimanët Rohingya i cilëson si “pakica fetare më e persekutuar në botë”.