Ekip
21 Nëntor 2017•Përditësim: 21 Nëntor 2017
GAZA CITY (AA) – Ministria e Brendshme Palestineze ka njoftuar se autoritetet egjiptiane të martën mbyllën kalimin kufitar Rafah me Rripin e Gazës së bllokuar, transmeton Anadolu Agency (AA).
Terminali, i cili lidh territorin palestinez me Gadishullin Sinai të Egjiptit, u hap për një periudhe tre-ditore të shtunën.
Të hënën, një zëdhënës palestinez tha se autoritetet egjiptiane kishin vendosur të mbanin kalimin e hapur edhe për tre ditë të tjera.
“Autoritetet egjiptiane, megjithatë, në mëngjes vendosën të mbyllnin kalimin kufitar Rafah në të dy drejtimet dhe anuluan vendimin e mëparshëm për të mbajtur atë të hapur”, tha Ministria e Brendshme Palestineze përmes një deklarate me shkrim.
Grupi palestinez Hamas, i cili ka qeverisur Rripin e Gazës që nga viti 2007, ia dorëzoi vendkalimin Autoritetet Palestinez me bazë në Ramallah më parë këtë muaj, duke shënuar ndryshimin e parë konkret pas një procesi të pajtimit i sponsorizuar nga Egjipti, midis Hamasit dhe grupit të tij rival Fatah.
Punonjësit e lidhur me Autoritetin Palestinez të shtunën kishin drejtuar procesin e lëvizjes përmes terminalit, për herë të parë në dhjetë vjet që nga viti 2007.
Mbyllja vjen pasi fraksionet palestineze mbajtën një raund të ri bisedimesh në Kajro, që synonin pajtimin pas përçarjeve dhjetë-vjeçare ndërmjet Hamasit dhe Fatahut.