Bayram Altuğ
25 maj 2018•Përditësim: 25 maj 2018
GJENEVË (AA) – Raportuesja Speciale e OKB-së për Mbrojtjen dhe Mbështetjen e të Drejtave të Njeriut në Luftën Kundër Terrorizmit, Fionnuala D. Ni Aolain, paralajmëroi se ligji kundër terrorizmit i cili ka hyrë në fuqi në Francë do të "margjinalizojë, do të ndikojë në mënyrë jo-proporcionale dhe do të stigmatizojë edhe më shumë muslimanët në këtë shtet", transmeton Anadolu Agency (AA).
Raportuesja speciale në një deklaratë me shkrim pas vizitës në Francë mes datave 14-23 maj, shprehu shqetësimet e saj në lidhje me ndikimet negative të ligjit në fjalë ndaj të drejtave themelore të njeriut, si për liritë, organizimin, jetën private dhe lirinë fetare.
Ajo tha se ligji kundër terrorizmit i cili ka hyrë në fuqi në muajin nëntor të vitit të kaluar në Francë, zyrtarisht i ka dhënë fund gjendjes së jashtëzakonshme të shpallur pas sulmit terrorist në Paris. Aolain potencon se ligji do të ndikojë negativisht sidomos tek muslimanët në këtë shtet.
Ekspertja irlandeze për të drejtat e njeriut Aolain paralajmëron se ligji kundër terrorizmit do të "margjinalizojë, do të ndikojë në mënyrë jo-proporcionale dhe do të stigmatizojë edhe më shumë muslimanët në këtë shtet".
Aolain me këtë rast qeverisë franceze i propozon krijimin e një organi të pavarur për luftimin e terrorizmit dhe auditimin e forcave të jashtëzakonshme të sigurisë kombëtare.
Sipas saj, ligji në fjalë mund të shkaktojë pengesa në shfrytëzimin e plotë të të drejtave themelore të muslimanëve në Francë. Aolain nënvizoi se komuniteti musliman në Francë ashtu si në periudhën e gjendjes së jashtëzakonshme, edhe pas hyrjes në fuqi të ligjit kundër terrorizmit "në mënyrë të hapur po i nënshtrohet masave të veçanta".
Aolain si shembull për këtë përmendi mbylljen e disa xhamive në Francë. "Ndjej shqetësim të thellë se me zbatimin e vazhdueshëm dhe të gjerë të ligjit kundër terrorizmit, pakica muslimane po portretizohet si ‘komunitet i dyshimtë'", tha ajo.