Laura Gamba Fadul
15 Tetor 2025•Përditësim: 15 Tetor 2025
Në përleshjet midis ushtrisë dhe demonstruesve në qytetin Otavalo të Ekuadorit u plagosën 13 ushtarë, transmeton Anadolu.
Protesta u mbajt kundër vendimit të presidentit Daniel Noboa për rritjen e çmimit të naftës. Forcat e Armatosura të Ekuadorit thanë se ushtarët u plagosën gjatë "sulmeve të dhunshme të kryera nga grupe që përdorën kokteje molotov, fishekzjarre, hanxharë dhe thika".
Ushtarët e plagosur u transportuan më pas me helikopter në spitalet në Imbabura për trajtim. Dhuna ndodhi disa orë pasi Presidenca e Ekuadorit konfirmoi se kishte vendosur Forcat e Armatosura dhe Policinë Kombëtare për t'u përballur me bllokadat e vazhdueshme në rajon.
Konfederata e Kombësive Indigjene të Ekuadorit (CONAIE), e cila organizoi demonstratat, akuzoi qeverinë për shtypjen e protestave, duke deklaruar se "Imbabura (provinca) dhe Otavalo rezistojnë me dinjitet përballë një qeverie që ka zgjedhur dhunën në vend të dialogut".
CONAIE ka akuzuar gjithashtu qeverinë për pengimin e qasjes në shërbime mjekësore, ngacmimin e personelit dhe mohimin e kujdesit për të lënduarit, gjë që ata e konsiderojnë shkelje të ligjit ndërkombëtar humanitar.
Presidenti Noboa, i cili shpalli gjendje të jashtëzakonshme në fillim të këtij muaji në 10 provinca pohon se bllokadat janë të paarsyeshme dhe janë përpjekje për të parandaluar zhvillimin e vizionit të tij për "Ekuadorin e ri".
Ministri i Brendshëm i Ekuadorit, John Reimberg tha se numri i personelit ushtarak në provincën Imbabura, epiqendra e protestave, do të rritet me 5.000.
"Ne do të jemi këtu për aq kohë sa të duhet për të rivendosur paqen në provincë", tha Reimberg.