Bota

Ende vetëm një i dënuar për dhunë seksuale gjatë luftës në Kosovë

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se shpreson që raste të dënimit të personave që kanë ushtruar dhunë seksuale gjatë luftës do të shtohen

Agim Sulaj  | 17.10.2024 - Përdıtësım : 17.10.2024
Ende vetëm një i dënuar për dhunë seksuale gjatë luftës në Kosovë Foto: Erkin Keçi / AA

Prishtinë

Edhe pas 25 vjetëve nga lufta e fundit në Kosovë e vitit 1998-1999, vetëm një person është dënuar me burgim për dhunë seksuale gjatë luftës, raporton Anadolu.

Kështu u tha në ditën e dytë të konferencës ndërkombëtare mbi dhunën seksuale në konflikt të organizuar nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), ku u mblodhën ekspertë, aktivistë dhe profesionistë nga mbarë bota për të diskutuar mbi sfidat dhe përpjekjet për drejtësi dhe rehabilitim.

Në këtë konferencë dyditore, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se shpreson që raste të dënimit të personave që kanë ushtruar dhunë seksuale gjatë luftës do të shtohen.

"Kam përshtypjen se qëllimshëm nuk janë trajtuar dosje të shumta të krimeve të luftës, që kanë qenë fillimisht UNMIK-u dhe pastaj Misioni i EULEX-it. Dhe, më vjen keq për këtë. Sepse, kur në një vend instalohen misione për sundim të ligjit ato duhet të sjellin drejtësi, por në anën tjetër, ne nuk e kemi parë si të tillë. Nuk e kemi parë drejtësinë nga këto misione", theksoi Haxhiu.

Ajo tha se institucionet vendore e kanë marrë kompetencën për adresimin e këtyre krimeve nga viti 2013.

Drejtoresha e QKRMT-së, Feride Rushiti tha se sfidat dhe qasja në drejtësi janë "kancer" për të gjithë të mbijetuarit e dhunës seksuale. Ajo tha se në praktikat e organizatës që udhëheq, përtej shërbimeve psiko-sociale që kërkojnë të mbijetuarat/it e dhunës seksuale, secili kërkon drejtësinë.

"Mos të harrojmë, se procesi i drejtësisë është proces shërimi, për faktin që në një kulturë dhe shoqëri siç është Kosova edhe aktualisht: ku gruaja stigmatizohet, fajësohet, turpërohet për të kaluarat e saj gjatë luftës e cila padashje është bërë pjesë e fushëbetejës së luftës. Procesi i drejtësisë ka të bëjë kur fajësinë ia drejton dhunuesit dhe ajo çlirohet prej gjithë kompleksit të cilin ia ngarkon shoqëria", theksoi Rushiti.

Ajo tha se të dhunuarat seksuale të luftës edhe më tej e vuajnë barrën e padrejtësisë për shkak të mospërkrahjes ligjore, psikologjike dhe emocionale.

Sipas vlerësimeve të organizatave, besohet se në Kosovë rreth 20 mijë gra dhe burra kanë përjetuar dhunë seksuale gjatë luftës së vitit 1998-1999 në Kosovë.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın