Turqia, Bota

Erdoğan, Biden-it: Izrael nuk dëshiron armëpushim në Gaza

Erdoğan zhvilloi një bisedë telefonike me Biden-in, të cilit i tha se vrasja e shefit politik të Hamasit, Ismail Haniyeh, "i dha një goditje të rëndë" përpjekjeve për armëpushim në Gaza

Diyar Güldoğan  | 01.08.2024 - Përdıtësım : 02.08.2024
Erdoğan, Biden-it: Izrael nuk dëshiron armëpushim në Gaza

Washington

Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, i tha homologut të tij amerikan Joe Biden se Izraeli nuk dëshiron një armëpushim në Rripin e Gazës, raporton Anadolu.

Erdoğan zhvilloi një bisedë telefonike me Biden-in, të cilit i tha se vrasja e shefit politik të Hamasit, Ismail Haniyeh, "i dha një goditje të rëndë" përpjekjeve për armëpushim në Gaza.

Qeveria e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu “ka treguar në çdo hap" se nuk dëshiron një armëpushim dhe paqe, dhe fjalimi i tij i fundit në Kongresin amerikan shkaktoi "zhgënjim të thellë" në Türkiye dhe në botë, i tha Erdoğan Bidenit.

Izraeli po punon për përhapjen e zjarrit nga Gaza në të gjithë rajonin, theksoi presidenti turk.

Telefonata erdhi menjëherë pasi Türkiye njoftoi se Organizata Kombëtare e Inteligjencës (MIT) udhëhoqi një shkëmbim të suksesshëm të të burgosurve që përfshin shtatë vende në "një nga operacionet më të gjera" të shkëmbimit në vitet e fundit.

Në shkëmbim u përfshinë gjithsej 26 persona nga burgjet në SHBA, Gjermani, Poloni, Slloveni, Norvegji, Rusi dhe Bjellorusi. Ata u transportuan në kryeqytetin e Türkiyes, Ankara.

Biden falënderoi presidentin Erdoğan për përpjekjet e tij në lidhje me shkëmbimin e pengjeve, ku janë të përfshirë edhe tre shtetas amerikanë dhe një mbajtës të kartonit të gjelbër amerikan: Paul Whelan, Evan Gershkovich, Alsu Kurmasheva dhe Vladimir Kara-Murza.

Gjatë bisedës telefonike, të dy liderët diskutuan edhe për marrëdhëniet dypalëshe.

Türkiye po bën çmos për të zhvilluar marrëdhëniet dypalëshe me SHBA-në në çdo fushë, nënvizoi Erdoğan.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.