Bota

Erdoğan: Bota po shikon në transmetim të drejtpërdrejtë barbarinë e vampirit të quajtur Netanyahu

"Bota po shikon barbarinë e një të sëmuri, një maniaku, një psikopati dhe vampirit që ushqehet me gjak të quajtur Netanyahu dhe po e shikon atë në transmetim të drejtpërdrejtë", tha Erdoğan

Aykut Yılmaz  | 29.05.2024 - Përdıtësım : 30.05.2024
Erdoğan: Bota po shikon në transmetim të drejtpërdrejtë barbarinë e vampirit të quajtur Netanyahu Foto: Muhammed Abdullah Kurtar/AA

Ankara

Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan tha se "Bota po shikon barbarinë e një të sëmuri, një maniaku, një psikopati dhe vampirit që ushqehet me gjak të quajtur Netanyahu dhe po e shikon atë në transmetim të drejtpërdrejtë", raporton Anadolu.

Në fjalën e tij në Mbledhjen e Grupit Parlamentar të AK Partisë, Erdoğan kujtoi se sot është 571-vjetori i Çlirimit të Istanbulit, hallka e artë e zinxhirit të çlirimeve që nisi në vitin 1071.

Erdoğan tha se kujton edhe një herë me mirënjohje Fatih Sulltan Mehmetin dhe ushtrinë e tij, i cili i dhuroi kombit Istanbulin në moshën 21-vjeçare me gjenialitetin e tij ushtarak dhe politik, inxhinierinë e klasit të parë, personalitetin monumental, dijen dhe guximin.

Pasi rikujtoi se Sulltan Mehmeti 571 vjet më parë kur ishte vetëm 21-vjeç, duke çliruar Istanbulin mbylli një epokë dhe hapi dyert për një epokë të re, Erdoğan shtoi se Istanbuli që nga ajo kohë ka qenë qendra e fuqisë së botës turke dhe islame, qendra administrative, qendra e shkencës dhe e artit.

"Keni dhënë mbështetje hapurazi për Izraelin"

"Gjenocidi i kryer nga Izraeli në Gaza ka hyrë në një fazë shumë më të përgjakshme me sulmet në rajonin Rafah ku janë strehuar miliona civilë", tha Erdoğan i cili shtoi se një ditë më parë të paktën 45 palestinezë të pafajshëm u martirizuan në sulmin e kryer ndaj tendave ku civilët po luftojnë për mbijetesë në të ashtuquajturat zona të sigurta.

Duke u shprehur se zemra, shpirti nuk duron dot t'i shikojë pamjet, Erdoğan tha se një baba i dëshpëruar e tregon foshnjën e tij vetëm disa muajshe me kokën e prerë dhe se këtë ai ia tregon ndërgjegjes së botës dhe njerëzimit, nëse ajo ka dhe nëse i ka mbetur sadopak.

"Çfarë kërkuat nga 15 mijë fëmijë të pafajshëm? A nuk ka mbetur asnjë gjurmë humaniteti tek ju? Nuk keni ndërgjegje? Nuk keni aspak mëshirë? A nuk keni vlerë, nuk keni kufij, nuk keni të ndalur? Kaq armiqësor jeni ndaj njerëzimit? A nuk ju ka mbetur as edhe një pikë dhembshurie në zemrën tuaj? Asnjë fe në tokë nuk mund ta legjitimojë këtë brutalitet. Asnjë besim, asnjë ideologji, sado e çoroditur të jetë, nuk mund të justifikojë prerjen e kokës së një foshnjeje të pafajshme apo djegien e civilëve të pafajshëm për vdekje në tendat e tyre. Bota po shikon barbarinë e një të sëmuri, një maniaku, një psikopati dhe vampirit që ushqehet me gjak të quajtur Netanyahu dhe po e shikon atë në transmetim të drejtpërdrejtë", tha Erdoğan duke shtuar:

"Shteti amerikan; ky gjak është edhe në duart tuaja. Ju jeni përgjegjës për këtë gjenocid aq sa Izraeli. Krerë shtetesh dhe të qeverive evropiane; Ju gjithashtu jeni bërë palë në këtë gjenocid, barbarizëm dhe vampirizëm të Izraelit. Sepse keni heshtur. Ata goditën spitalet, shkollat, xhamitë dhe ju heshtët. Ata goditën autokolonën e ndihmave, ju heshtët. Ata qëlluan gazetarë, mjekë, punonjës të ndihmës, ju heshtët. Në kopshtet e spitaleve u gjetën varre masive, nuk reaguat. Ju e mbështetët hapur Izraelin duke thënë 'Hamasi'".

"Në Gaza nuk ka vdekur vetëm njerëzia, por edhe OKB-ja bashkë me shpirtin (frymën) e saj"

Duke thënë se në Gaza nuk kanë vdekur vetëm fëmijët e pafajshëm të njerëzimit, se nuk është përjetuar vetëm gjenocid, Erdoğan tha se teksa në Gaza vdes njerëzimi, edhe në Evropë ka vdekur demokracia, të drejtat e njeriut, liria e shprehjes, liria e shtypit, të drejtat e grave dhe të fëmijëve.

Duke kërkuar që asnjë evropian të mos dalë më tani e tutje dhe të flasë për demokracinë, të drejtat e njeriut, lirinë e shprehjes dhe lirinë e shtypit me arrogancë duke tundur gishtin me një gjuhë superiore, Erdoğan tha se Izraeli po vret njerëzimin në Gaza, ndërsa Evropa ka vrarë vlerat e veta, po shkel të gjitha vlerat që bëjnë ekzistenciale.

Erdoğan rikujtoi se në çdo platformë ndërkombëtare, në foltoren në OKB prej vitesh kanë ngritur zërin "Bota është më e madhe se pesë".

"Çfarë dobie ke nëse nuk mund të ndalësh një gjenocid të cilin po e sheh e gjithë njerëzit në transmetim të drejtpërdrejtë, në shekullin 21? Nëse e ardhmja e botës u lihet tekave të pesë vendeve, pse ka nevojë për ato ndërtesa të mëdha, duke shpenzuar kaq shumë, duke punësuar kaq shumë njerëz? OKB-ja jo që nuk mundi të ndalë gjenocidin, por nuk arriti të mbrojë as punonjësit e saj të ndihmës. Në Gaza nuk ka vdekur vetëm njerëzia, por edhe OKB-ja bashkë me frymën e saj", tha ai.

Presidenti Erdoğan më tej vazhdoi duke thënë: "Nga këtu, kam dy fjalë edhe për botën islame: Çfarë prisni për të marrë një vendim të përbashkët? Çfarë duhet të ndodhë më shumë për të reaguar? Qentë po hanë trupat e dëshmorëve në rrugët e Gazës. Terroristët izraelitë hyjnë në shtëpitë e muslimanëve dhe ndajnë foto nga dhomat e tyre të gjumit. Fëmijët muslimanë po masakrohen në spitale. Foshnjave po u priten kokat. Njerëzit po digjen në tenda. Kur do t'i shihni këto? Kur do të reagoni? Kur do të mblidheni dhe do të merrni një qëndrim të vendosur? Kur Organizata e Bashkëpunimit Islam do të ndjekë një politikë efektive, parandaluese kundër këtyre mizorive? Kur bota islame do të mbrojë të drejtat, ligjet dhe jetët e vëllezërve të saj palestinezë? Betohem se Allahu do t'ju kërkojë llogari për këtë, të gjithëve neve".

"Allahu do të kërkojë llogari ndaj atyre që injorojnë, bëjnë sikur nuk dëgjojnë, qëndrojnë të heshtur dhe nuk reagojnë, ndërsa një grusht terroristësh kryejnë gjenocid ndaj muslimanëve në qendër të gjeografisë dhe zemrës islame. Të gjithë që jetojnë në këtë gjeografi duhet ta dinë dhe ta kuptojnë shumë mirë se: Derisa Izraeli të vendoset nën kontrollin e ligjit ndërkombëtar, deri kur ai ta shohë veten të detyruar nga ligji ndërkombëtar, askush, asnjë vend, asnjë shtet përfshirë Türkiyen nuk është i sigurt. A mendoni se ky barbarizëm është i kufizuar me Gazën? Kurrë dhe kurrë, ata nuk do të ngopen me pirjen e gjakut. Nuk do të ndalen kurrën e kurrës, për sa kohë që do të ketë nga ata që i përkëdhelin shpinën", tha presidenti turk.

Erdoğan thotë se një Izrael që nuk njeh ligjin dhe rendin është kërcënim jo vetëm për Palestinën, jo vetëm për Gazën, por edhe për mbarë njerëzimin dhe paqen botërore. "Hitleri, gjurmët e të cilit ndiqen sot nga Netanyahu, edhe pse vonë u ndalua me aleancën e Amerikës dhe Bashkimit Sovjetik. Tashmë ky gjenocid, brutalitet dhe barbarizëm duhet të ndalet menjëherë me aleancën e njerëzimit, para se të jetë tepër vonë dhe para se Netanyahu dhe rrjeti i tij vrasës të dalin plotësisht jashtë kontrollit", tha ai.

Pasi përgëzoi të gjitha vendet mike që njohin Palestinën si shtet dhe shfaqin qëndrim humanitar dhe të guximshëm, Erdoğan tha: "Deri më tani 147 vende e kanë njohur Palestinën si shtet. Kjo do të thotë, më shumë se tre të katërtat e 193 vendeve anëtare të OKB-së e kanë njohur Palestinën si shtet. Vendimi i përbashkët i 147 vendeve nuk mund t'i lihet tekave të Këshillit të Sigurimit, i cili përbëhet nga 5 anëtarë. Ftojmë të gjitha vendet mike dhe vëllazërore të kundërshtojnë këtë padrejtësi. E përsëris se bota është më e madhe se 5. 147 është më e madhe se pesë. Ndërgjegjja e njerëzimit të përbashkët është më e madhe se 5".

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.