Erdoğan: Do të punojmë me të gjitha forcat tona për ta bërë periudhën e ardhshme Shekullin e Botës Turke
"Ne kemi ardhur deri në këtë ditë duke tejkaluar pengesat, por kemi ende një rrugë të gjatë për të bërë", tha presidenti Recep Tayyip Erdoğan
Istanbul
Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, tha se "ne do të punojmë me të gjitha forcat tona për ta bërë periudhën e ardhshme Shekullin e Botës Turke", raporton Anadolu.
"Ne kemi ardhur deri në këtë ditë duke tejkaluar pengesat, por kemi ende një rrugë të gjatë për të bërë", tha presidenti Erdoğan në fjalimin e tij në Samitin e 11-të të Krerëve të Shteteve të Organizatës së Shteteve Turke (OTS).
Ai gjithashtu tha se shpreson që përfitimet e Azerbajxhanit në teren, do të konsolidohen në tryezë, duke nënshkruar një marrëveshje paqeje.
Në vitin 1991, ushtria armene kishte pushtuar Karabakun, një territor i njohur ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit, si dhe shtatë rajone ngjitur.
Azerbajxhani ka vendosur sovranitetin e plotë në Karabak në shtator 2023, pas një "operacioni antiterrorist" pas të cilit forcat separatiste në rajon u dorëzuan.
Azerbajxhani dhe Armenia ende nuk kanë nënshkruar traktat paqeje dhe nuk kanë normalizuar marrëdhëniet.
Lidhur me agresionin e Izraelit ndaj territoreve palestineze, ai tha se komuniteti ndërkombëtar po dështon keq në ndalimin e gjenocidit që ndodh në territoret e pushtuara palestineze, veçanërisht në Gaza.
Türkiye nuk e pranon këtë "mizori" dhe "masakër çnjerëzore" në Gaza, tha presidenti turk, duke i kërkuar botës turke të marrë një qëndrim "vendimtar".
Izraeli ka vazhduar një ofensivë shkatërruese në Gaza që nga sulmet e 7 tetorit 2023 nga Hamasi, duke vrarë afro 43.400 njerëz dhe duke e bërë enklavën pothuajse të pabanueshme.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.