Turqia, Bota

Erdoğan: Me krizën e Gazës, sistemi global ka ngritur flamurin e falimentimit

"Nuk është bërë asnjë përpjekje për të rishikuar sistemin global rreth drejtësisë dhe për të parandaluar shkeljet e të drejtave të njeriut, duke përfshirë të drejtën për jetë", u shpreh presidenti turk

Zafer Fatih Beyaz  | 05.08.2024 - Përdıtësım : 05.08.2024
Erdoğan: Me krizën e Gazës, sistemi global ka ngritur flamurin e falimentimit Foto: TCCB/Murat Kula

Ankara

Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan është shprehur se "bashkë me krizën e Gazës, sistemi global ka ngritur flamurin e falimentimit", raporton Anadolu.

Në fjalimin e tij në Programin e Trajnimit për të Drejtat e Njeriut të organizuar nga Kryesia e AK Partisë, Erdoğan tha se politika botërore po bën një nga kthesat e saj më të forta.

"Nuk është bërë asnjë përpjekje për të rishikuar sistemin global rreth drejtësisë dhe për të parandaluar shkeljet e të drejtave të njeriut, duke përfshirë të drejtën për jetë. Por bashkë me krizën e Gazës, sistemi global ka ngritur flamurin e falimentimit. Gaza ka hequr maskat në të gjithë botën, ka hequr perdet mbi të vërtetën dhe ka treguar qartë se sa e zbrazët është brendësia e institucioneve që janë mbajtur si shembuj për dekada", tha presidenti turk.

Duke theksuar se ndjekin zhvillimet në rajon, Erdoğan shtoi:

"Programin tonë ne po e kryejmë në një kohë kur në botë po ndodhin shkelje jashtëzakonisht të rënda të të drejtave të njeriut. Politika botërore po bën një nga kthesat e saj më të forta. Në sistemin ndërkombëtar ka boshllëk serioz. Ndodhemi përballë jo vetëm me humbje të moralit por dhe humbje të ndërgjegjes. Ky boshllëk po bëhet më i dukshëm dita-ditës. Skenat e gjakut, mizorisë, luftës dhe konfliktit që duhet të na trembin të gjithëve, janë bërë të zakonshme. Institucionet, normat, rregullat që njerëzimi ka krijuar për të garantuar sigurinë e tij të përbashkët, po humbasin terren dita-ditës. Brendësia e koncepteve të tilla si të drejtat e njeriut, demokracia, ligji dhe drejtësia globale, janë zbrazur, konsumuar dhe kanë pësuar humbje të besimit dhe reputacionit".

Ai gjithashtu u shpreh se për fat të keq, mësimet e nevojshme nuk u nxorën nga gjenocidi i Srebrenicës, okupimi i Irakut, konflikti sirian, apo lufta Rusi-Ukrainë.

"Zemra nuk duron të shikojë pamjet e masakrave të reja që shtohen çdo ditë"

Duke thënë se fjalët nuk janë më të mjaftueshme për të përshkruar gjenocidin e vuajtur nga populli palestinez në Gaza, Erdoğan u shpreh:

"Më besoni, zemra nuk duron të shikojë pamjet e masakrave të reja që shtohen çdo ditë. Zemra e asnjërit prej nesh nuk mund të durojë të shikojë pamje të foshnjave të pafajshme me kokën e tyre të prerë, të fëmijëve që qajnë te varri i babait të tyre duke thënë 'Nuk mund ta duroj më këtë barrë' apo nëna me zemra të plagosura që përpiqen të mbijetojnë bashkë me jetimin nën bomba".

Presidenti turk gjithashtu theksoi se përgjatë 10 muajve për sa vazhdon gjenocidi izraelit në Gaza, janë vrarë më shumë se 16 mijë fëmijë.

"Këshillit të Sigurimit të OKB-së nuk i del zëri përballë kësaj mizorie për të cilën normalisht duhet ta ngrejë njerëzimin në këmbë. Ata supozohet se kanë marrë një vendim për ta ndaluar, por as që kanë bërë ndonjë lëvizje për ta zbatuar", theksoi Erdoğan.

Ai vuri theksin se vendet Perëndimore janë bashkëpunëtorë në politikën e gjenocidit të Izraelit, duke shtuar:

"Ato ofrojnë të gjitha llojet e mbështetjes duke përfshirë armët dhe inteligjencën, në mënyrë që administrata e Netanyahut të vrasë më shumë fëmijë. Ndërkohë këtë mbështetje të tyre ata e tregojnë publikisht pa pasur nevojë të fshihen, duke duartrokitur vrasësit derisa pëllëmbët e tyre të fryhen".

Ai gjithashtu paralajmëroi se historia e regjistron qartë se kush dhe në cilin pozicion qëndron.

"Ashtu si ata që i kanë shkruar me turp emrat e tyre në histori, pasi duartrokitën me entuziazëm fjalimin e Hitlerit për gjenocidin në Parlamentin Nazist Rajhstag 85 vjet më parë, edhe ata që duartrokasin gënjeshtrat e Hitlerit të sotëm, Netanyahut, gjatë gjithë jetës së tyre nuk do mund ta pastrojnë njollën e zezë që u është ngjitur në duar. Po kështu, as historia dhe as fëmijët nuk do t'i falin njerëzit e mjerë me mungesë të ndërgjegjes që brohorasin nga gëzimi, veçanërisht për vuajtjet e njerëzve të shtypur", u shpreh presidenti turk.

Ai theksoi se e shohim si detyrë ndaj popullit palestinez që "të flasin të drejtën dhe të vërtetën në këto kohë të vështira kur njerëzimi vihet në provë".

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın