Erdoğan: Në 20 vitet e fundit investuam 300 miliardë dollarë në infrastrukturë
"Në 20 vitet e fundit investuam 300 miliardë dollarë në infrastrukturë, eksportet tona janë rritur mbi 20-fish në 20 vite. Dyfishuam pjesën tonë të eksporteve botërore", theksoi Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan
![Erdoğan: Në 20 vitet e fundit investuam 300 miliardë dollarë në infrastrukturë](https://cdnuploads.aa.com.tr/uploads/Contents/2025/02/11/thumbs_b_c_5dd6e88e57f186fc80ee08ec59c369e4.jpg?v=120642)
Ankara
Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, tha se ekonomia e vendit të tij vazhdon të rritet pavarësisht konflikteve që ndodhin në rajonin e tyre dhe tërmetit të madh "fatkeqësia e shekullit" që përjetuan në vitin 2023, raporton Anadolu.
Në kuadër të ditës së dytë të vizitës së tij në Malajzi, Erdoğan mori pjesë në Forumin e Biznesit Türkiye-Malajzi, ku edhe mbajti një fjalim.
"Ekonomia e Türkiyes vazhdon të rritet, pavarësisht konflikteve në rajonin tonë dhe tërmetit të madh 'fatkeqësia e shekullit' që përjetuam në vitin 2023", tha Erdoğan, duke theksuar se Türkiye është një nga vendet e pakta që ka arritur një normë mesatare vjetore rritjeje prej rreth 5 për qind gjatë 20 viteve të fundit.
"Në 20 vitet e fundit investuam 300 miliardë dollarë në infrastrukturë, eksportet tona janë rritur mbi 20-fish në 20 vite. Dyfishuam pjesën tonë të eksporteve botërore", theksoi ai.
Duke u bërë thirrje sipërmarrësve të investojnë në Türkiye, Erdoğan tha: "Sipërmarrësit që i besojnë Türkiyes dhe investojnë në potencialin e vendit tonë nuk do të pendohen ashtu siç ishte deri më tani".
Më herët gjatë ditës, kryeministri i Malajzisë, Anwar Ibrahim, priti me nderimet më të larta presidentin turk Erdoğan, i cili gjendet në vend për një vizitë zyrtare. Më pas të dy liderët mbajtën një konferencë të përbashkët për media.
Të dielën, presidenti Erdoğan nisi një vizitë katër-ditore duke përfshirë Malajzinë, Indonezinë dhe Pakistanin.
Ai mbajti një fjalim të hënën në Universitetin Malaya, ku iu dha një doktoraturë nderi.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.