Bota

Erdoğan takon Al Thani-n, përsërit thirrjen për komunitetin global që të ndalojë agresionin në rritje të Izraelit

Erdoğan u takua në Ankara me emirin e Katarit, Tamim bin Hamad al Thani, ku deklaroi se “Izraeli po përpiqet të përshkallëzojë tensionet në rajon përmes sulmeve të tij si në territoret palestineze ashtu edhe në Liban”

Esra Tekin  | 08.08.2024 - Përdıtësım : 08.08.2024
Erdoğan takon Al Thani-n, përsërit thirrjen për komunitetin global që të ndalojë agresionin në rritje të Izraelit Foto: Mümin Altaş/AA

Istanbul

Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, ka ri-konfirmuar thirrjen e tij për komunitetin ndërkombëtar që të ndalojë përshkallëzimin e agresionit nga Izraeli, duke paralajmëruar se kjo mund ta çojë rajonin në një konflikt më të gjerë dhe akoma më shkatërrues, transmeton Anadolu.

Siç njoftoi Drejtoria e Komunikimeve e Türkiyes, presidenti Erdoğan u takua në kryeqytetin turk Ankara me emirin e Katarit, Tamim bin Hamad Al Thani, ku deklaroi se “Izraeli po përpiqet të përshkallëzojë tensionet në rajon përmes sulmeve të tij si në territoret palestineze ashtu edhe në Liban”.

Erdoğan gjithashtu kërkoi nga komuniteti global të ndërmarrë hapa efektive për të ndaluar “agresionin izraelit të intensifikuar së fundmi”.

Erdoğan dhe Al Thani u takuan në kompleksin presidencial në Ankara.

“Presidenti Erdoğan deklaroi se vrasja nga Izraeli e shefit të Byrosë Politike të Hamasit, Ismail Haniyeh, ka treguar edhe një herë mungesën e synimit për t’u përfshirë në një armëpushim”, theksoi Erdoğan.

Izraeli nuk ka marrë përgjegjësinë për vrasjen, që ndodhi javën e kaluar në Teheran, por Irani është zotuar për hakmarrje.

Duke deklaruar se Türkiye po bën përpjekje për të sjellë paqe të qëndrueshme në rajon, Erdoğan shprehu synimin e Ankarasë për të rritur përpjekjet bashkëpunuese me Dohën për të arritur rezultate.

Gjatë takimit, presidenti turk dhe emiri i Katarit diskutuan gjithashtu marrëdhëniet mes dy kombeve, si dhe çështjet globale dhe rajonale.

Duke shprehur “angazhimin e plotë” të Türkiyes për të avancuar bashkëpunimin e saj me Katarin në marrëdhëniet ekonomike, si dhe në fushat politike, ushtarake, tregtare dhe kulturore, Erdoğan tha se hapat e ardhshme do të përforcojnë solidaritetin midis dy vendeve.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.