Seleshi Tessema Mulata
20 Dhjetor 2019•Përditësim: 23 Dhjetor 2019
Etiopia sot lançoi me sukses satelitin e parë tokësor ndonjëherë për vëzhgim të krijuar për të mbledhur dhe përcjellë të dhëna të nevojshme për modernizimin e bujqësisë dhe zbutjen e thatësirës, raporton Anadolu Agency (AA).
Buzëqeshje, përqafime dhe shtrëngime duarsh shoqëruan ceremoninë e lançimit, ndërsa zëvendëskryeministri i Etiopisë Demeke Mekonen, së bashku me zyrtarët dhe inxhinierët në stacionin e kontrollit të fluturimit në Addis Ababa ndoqën lançimin e satelitit nga Kina.
Turma ishte mbledhur në stacionin e kontrollit të fluturimit për të dëshmuar lançimin e satelitit të prodhimit kinez, të quajtur ETRSS-I.
Lajmi për lançimin u përshëndet me të shtëna nga 12 armë. Të gjitha stacionet televizive dhe radiot e drejtuara nga shteti ofruan një mbulim të gjërë dhe të drejtpërdrejtë.
Mekonen e quajti lançimin një moment historik në zhvillimin e teknologjisë satelitore.
"Sot ne jemi bashkuar me botën, kurse Etiopia do të lançojë një satelit komunikimi vitin e ardhshëm", tha ai.
- Transformimi i bujqësisë
Etiopia është goditur keq nga thatësira të rënda periodike, shpesh duke rezultuar në prishjen e të lashtave, humbjet e bagëtive dhe mungesën e ushqimit. Sipas të dhënave zyrtare, çdo vit gati pesë milionë njerëz kanë nevojë për ndihmë ushqimore.
Bujqësia e vendit kryesisht është kryesisht e vetëqëndrueshme, ndërsa shoqërohet nga degradimi i mjedisit dhe rritja e popullsisë.
Ahmedin Mohamed, zëvendësministër i Inovacionit dhe Teknologjisë, me rastin e lançimit të satelitit tha se do të sigurojë informacione kritike të nevojshme për të transformuar bujqësinë dhe për menaxhimin e mjedisit.
"Sateliti, të cilin ne tani e zotërojmë dhe operojmë, do të na sigurojë të dhëna për meteorologjinë, mbrojtjen e tokës dhe paralajmërimet e hershme të thatësirës, të cilat do të jenë jetike për zhvillimin e vendit", tha ai.
Ndërsa satelitët po bëhen më të vegjël dhe më të përballueshëm për t'u blerë dhe lançuar, deri më tani dhjetë vende afrikane në bashkëpunim me vendet e zhvilluara kanë lançuar satelitë në orbitë.
Nigeria, Afrika e Jugut, Maroku, Algjeria, Egjipti kanë satelitë të shumëqëllimshëm në hapësirë, kurse Kenia dhe Ruanda gjithashtu janë bashkuar së fundmi në klubin satelitor afrikan.