Selen Temizer
06 Maj 2022•Përditësim: 06 Maj 2022
Drejtoresha e Agjencisë së BE-së për Bashkëpunim për Zbatimin e Ligjit (Europol), Catherine de Bolle tha se vendet e Bashkimit Evropian nuk janë vetëm një destinacion në trafikun ndërkombëtar të drogës, por në të njëjtën kohë edhe një burim dhe një zonë tranziti, raporton Anadolu Agency (AA).
De Bolle dhe Alexis Goosdel, drejtori i Qendrës Evropian e Monitorimit për Drogën dhe Varësinë nga Drogat (EMCDDA) zhvilluan një konferencë për media rreth trendeve shqetësuese në nivel rekord në tregun e kokainës dhe metamfetaminës në vendet e BE-së.
Duke bërë të ditur se trafikimi i drogës përbën 40 për qind të krimeve të organizuara në BE, De Bolle tha se "E vërteta që dimë ne të gjithë është se BE në trafikimin e drogës nuk është vetëm në destinacion, por në të njëjtën kohë një burim dhe zonë tranziti".
"Gjenerimi i të ardhurave të paligjshme në vlerën e miliona eurove nga metamfetamina janë një problem në rritje për BE-në", deklaroi De Bolle duke shtuar se brenda BE-së është rritur numri i laboratorëve që prodhojnë drogë dhe kryesisht metamfetaminë.
"Një nga tiparet e rëndësishme të organizatave kriminale në ditët e sotme është dhuna. Kjo dhunë ka një ndikim të drejtpërdrejtë tek njerëzit që humbin jetën në rrugët e BE-së", tha De Bolle.
"Sasia e kokainës së sekuestruar në BE u rrit me 477 për qind"
Edhe drejtori i EMCDDA, Goosdel deklaroi se ka një problem të korrupsionit në rritje në BE.
"Lehtësia e qasjes ndaj drogës dhe dhuna në rritje e shoqërojnë këtë", tha Goosdel i cili potencoi se "Kokaina është bërë një problem i madh në BE. Edhe metamfetamina është vazhdimisht duke zënë vendin e saj si një rrezik i ri i mundshëm".
Goosdel tha se kokaina ka arritur në nivel rekord aksesimi dhe ku ajo mund të blihet 38 për qind më lirë dhe se sasia e sekuestruar në vitin 2020 në 27 vendet anëtare me një rritje 477 për qind arriti në 2.2 tonë.
Sipas të dhënave në raportin e përbashkët të dy institucioneve të BE-së, në vitin 2020 të paktën 3.5 milionë evropianë kanë përdorur drogë ndërsa numri evropianëve që kanë përdorur drogë gjatë gjithë jetës është 14 milionë.
Në vitin 2020 vendet ku janë konfiskuar më shumë kokainë në BE janë Belgjika me 70 tonë, Holanda me 49 tonë dhe Spanja me 37 tonë të cilat pasohen nga Italia, Franca, Gjemania dhe Portugalia.