Fidan: Pritshmëria përfundimtare e Türkiyes nga Iraku është njohja e PKK-së si grup terrorist
"Ne duhet ti kombinojmë të gjitha mjetet tona dhe të shkatërrojmë grupet terroriste DEASH dhe PKK. Pritshmëria jonë përfundimtare nga Iraku është ta njohë PKK-në, të cilën e ka shpallur një organizatë të ndaluar, si një organizatë terroriste”, tha ai
Bagdad
Ministri turk i Punëve të Jashtme, Hakan Fidan, ka deklaruar se pritshmëria përfundimtare e Türkiye nga Iraku, që shpalli grupin terrorist PKK si një “organizatë të ndaluar”, është që ta njohë grupin si organizatë terroriste, raporton Anadolu.
Gjatë takimit në Bagdad me homologun irakian, Fuad Hussein, Fidan tha se ka pasur mundësinë të diskutojë në detaje çështje të rëndësishme që kanë të bëjnë me dy vendet dhe rajonin. Ai shtoi se marrëdhëniet e Türkiyes me Irakun shihen nga një perspektivë strategjike.
Fidan tha se “mirëkuptimi ynë progresiv i kohëve të fundit me Irakun për sigurinë dhe kundër terrorizmit është shumë i vlefshëm në këtë konteks”. Në veçanti, theksoi ai, bashkëpunimi kundër terrorizmit dhe lufta kundër DEASH-it dhe PKK-së është jashtëzakonisht i rëndësishëm.
“Organizata terroriste PKK shkel sovranitetin e Irakut dhe përbën një kërcënim serioz për sigurinë e tij kombëtare. Së fundmi, dy ushtarë irkianë u martirizuan në një sulm të PKK-së... PKK-ja vë në shënjestër Türkiyen, Irakun dhe Sirinë. Për të ardhmen e rajonit tonë, ne duhet të bëjmë një luftë të përbashkët kundër terrorizmit. Ne duhet t’i kombinojmë të gjitha mjetet tona dhe të shkatërrojmë grupet terroriste DEASH dhe PKK. Pritshmëria jonë përfundimtare nga Iraku është ta njohë PKK-në, të cilën e ka shpallur një organizatë të ndaluar, si një organizatë terroriste”, tha Fidan.
Në fushatën e saj terroriste mbi 40-vjeçare kundër Türkiyes, PKK-ja e listuar si një organizatë terroriste nga Türkiye, SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian (BE), ka qenë përgjegjëse për vdekjen e mbi 40 mijë njerëzve, përfshirë shumë gra, fëmijë, foshnja dhe të moshuar.
Më tej, Fidan gjithashtu theksoi rëndësinë e stabilitetit dhe prosperitetit në Irak për stabilitetin komulativ të rajonit.
“Sa më i fuqishëm dhe më i pasur të bëhet Iraku, aq më shumë do të rritet prosperiteti i Türkiyes me të njëjtin ritëm. Kur Iraku të jetë më i sigurt dhe më i qëndrueshëm, paqja dhe qetësia do të rriten në rajonin tonë. Në këtë kuadër, ne mbështesim hapat e ndërmarra për ta bërë Irakun një vend më të begatë dhe më të sigurt. Ne kontribuojmë në iniciativat e Irakut që synojnë të kontribuojnë në rajonin tonë”, tha ai.
Duke theksuar se një rëndësi e veçantë i kushtohet Projektit të Rrugës së Zhvillimit, Fidan kujtoi se presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan ka nënshkruar më parë dy memorandume lidhur me këtë projekt.
“Ky projekt ofron një mundësi shumë të vlefshme dhe të qëndrueshme bashkëpunimi për rajonin tonë mbi bazën e pronësisë rajonale dhe mirëkuptimit të favorshëm. Sot diskutuam për hapat që duhen ndërmarrë për të realizuar sa më parë projektin. Dashtë Zoti, synojmë të shohim rezultate konkrete sa më parë”, tha ai.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.