Bota

Figurat simbolike të Kongresit amerikan Sanders dhe Pelosi reaguan ashpër ndaj Netanyahut

"Unë mendoj se ai është një kriminel lufte. Ai nuk duhej të ftohej në Kongres", tha senatori Bernie Sanders

Hakan Çopur  | 25.07.2024 - Përdıtësım : 25.07.2024
Figurat simbolike të Kongresit amerikan Sanders dhe Pelosi reaguan ashpër ndaj Netanyahut

Washington DC

Senatori Bernie Sanders, një nga figurat e rëndësishme të Kongresit Amerikan dhe ish-kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, reaguan ashpër ndaj kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, i cili iu drejtua me një fjalim Kongresit, raporton Anadolu.

Dy nga kritikat më të forta ndaj Netanyahut, i cili tërhoqi reagimin e shumë anëtarëve demokratë dhe u bojkotua nga rreth 50 anëtarë të Kongresit për shkak të fjalimit të tij në Kongresin Amerikan, erdhën nga senatori Sanders dhe ish-kryetarja Pelosi.

Sanders, i cili është hebre dhe tërheq vëmendjen me kritikat ndaj qeverisë izraelite, shpjegoi pse protestoi ndaj fjalimit të Netanyahut në një transmetim që mori pjesë në kanalin amerikan MSNBC.

Duke treguar se nuk do të shkonte për të dëgjuar fjalimin e Netanyahut, Sanders tha: "Unë mendoj se ai është një kriminel lufte. Ai nuk duhej të ftohej në Kongres".

"Ajo që Izraeli ka bërë në fushatën e tij ushtarake nën qeverinë ekstremiste të krahut të djathtë të Netanyahut është e tmerrshme. Ne duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për t'i dhënë fund luftës dhe për të ofruar ndihmë të menjëhershme humanitare për gratë dhe fëmijët në Gaza", tha Sanders.

Ai theksoi se ajo që ka ndodhur në Gaza është e tmerrshme. "Kjo është fatkeqësi e tmerrshme humanitare. Kjo është arsyeja pse unë nuk do të shkoj të dëgjoj Netanyahu", theksoi Sanders.

- "Fjalimi më i keq i një lideri të huaj"

Përfaqësuesja demokrate Nancy Pelosi, e cila ishte kryetare e Dhomës së Përfaqësuesve në mandatin e kaluar, fajësoi Netanyahun në deklaratën në llogarinë e saj në X.

"Adresimi i Benjamin Netanyahut në Kongres ishte fjalimi më i keq i bërë ndonjëherë nga një udhëheqës i huaj i nderuar me privilegjin për t'iu drejtuar Kongresit të SHBA-së", tha ajo.

Duke theksuar se ajo vizitoi Izraelin pas 7 tetorit dhe se pritja më e rëndësishme e familjeve të pengjeve ishte një armëpushim i menjëhershëm, Pelosi tha: "Shpresoj që kryeministri (Netanyahu) të kalojë kohën e tij për të arritur këtë qëllim".


- Tlaib reagoi ndaj ovacionit të bërë për Netanyahun

Rashida Tlaib, përfaqësuesja e vetme me origjinë palestineze në Kongresin Amerikan, komentoi ovacionet ndaj Netanyahut në sallën e Kongresit në postimin e saj në llogarinë X. "Edhe unë isha atje dhe ishte e neveritshme", shkroi ajo.

Një pankartë e vogël ku shkruante "kriminel lufte" që Tlaib mbajti gjatë fjalimit të Netanyahut u kap herë pas here nga kamerat dhe mori mbështetje të madhe në mediat sociale.

Një tjetër anëtare demokrate e Kongresit, Cori Bush, shprehu reagimin e saj ndaj fjalimit të Netanyahut. "Jam shumë e zemëruar. Më vjen turp për atë që ndodhi sot. Qeveria jonë është aktivisht bashkëpunëtore në çdo hap të këtij gjenocidi", tha ajo.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.