Gamze Türkoğlu Oğuz
01 Tetor 2017•Përditësim: 01 Tetor 2017
ZAMBOANGA CITY (AA) – Filipinet janë të gatshme të bashkëpunojnë me Kombet e Bashkuara për hetimin e shkeljes së të drejtave të njeriut dhe luftës kundër drogës në këtë vend, raporton Anadolu Agency (AA).
Ministria e Punëve të Jashtme e Filipineve njoftoi se shefi i diplomacisë filipinase, Alan Peter S. Cayetano, në New York është takuar me sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres.
Cayetano deklaroi se vendi i tij është i gatshëm për bashkëpunim me OKB-në mbi çështjet lidhur me zhvillimin e qëndrueshëm të Filipineve si dhe “do t’ju ofrojë mirëseardhje ekspertëve që në mënyrë objektive do të hetojnë nëse ka pasur shkelje të të drejtave të njeriut".
Ai shtoi se administrata në Manila luftën kundër drogës nuk e sheh si mjet për shkeljen e të drejtave të njeriut por të kundërtën, si instrument për mbrojtjen e të drejtave të të gjithë filipinasve.
Megjithatë, ministri i Punëve të Jashtme i Filipineve theksoi se nuk dëshiron që raportuesja speciale e OKB-së Agnes Callamard, e cila disa herë kritikoi presidentin e Filipineve, Rodrigo Duterte, të jetë pjesë e ekipit hetues. Ai theksoi se dëshiron që në vend të dërgohen ekspertë të paanshëm.
Sipas të dhënave të policisë në aksionet që zhvillohen në Filipine nga fundi i vitit të kaluar, janë vrarë mbi 5.000 persona.
Organizatat lokale dhe ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut akuzojnë qeverinë e Dutertes se kryen “krim kundër njerëzimit”.